E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët e diplomuar të regjistrohen pranë U. të Infermierit

Ky vendim është në bazë të ligjit “Për Profesionet e Rregulluara”, dhe në të përfshihen  të gjithë studentët që mbarojnë një program të akredituar për profesionet infermier, mami, fizioterapist, teknik laboratori, teknik imazherie dhe logopedist.  Këto detyrime fillojnë me realizimin e praktikës profesionale, për një periudhë jo më pak se 3 muaj.

Duke u përmirësuar zbatimi i ligjit të lartpërmendur, duhet thënë se kjo praktikë ka ndryshuar tashmë nga vitet e tjera. “Konkretisht, studenti i diplomuar në degët e mësipërme, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë, janë të shkruara të gjitha udhëzimet dhe detyrimet që ai duhet të realizojë gjatë këtyre periudhës së praktikës. Përveç kësaj, aty janë edhe të gjitha temat të cilat do të jenë pyetje në provimin e posaçëm që do të bëhet për testimin e aftësive profesionale. Aty do të mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti do të realizojë praktikën profesionale, të cilat do të firmosen çdo ditë nga drejtuesi i kësaj praktike. Në fund fare, kjo librezë, pasi studenti ka realizuar 12 javët e praktikës profesionale, do të firmoset nga drejtuesit e saj, dhe do të vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat do t’i njihen kandidatit gjatë realizimit të Provimit të testimit profesional”, thekson Urdhri i Infermierëve.

Ai e merr librezën dhe 10 ditë para datës së provimit, e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Ky i fundit, jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierit, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht, nëpërmjet manekinëve apo vendit ku do të zhvillohet provimi, pranë një fakulteti infermierie. Konkretisht, ata do t’u përgjigjen 5 pyetjeve, të cilat në fakt i kanë në programin e praktikës së tyre profesionale, pra u janë bërë të ditura paraprakisht.

Çdo pyetje vlerësohet nga 1 deri 25 pikë. Dhe pikët maksimale janë deri 100 pikë. Që kandidati të vlerësohet “Kalueshëm” dhe të regjistrohet pranë Provimit të Shtetit, ai duhet që të marrë të paktën 50 pikë. Nga të cilat, një pjesë i ka përmes vlerësimit në librezë, deri në 25, kurse pjesën tjetër duhet ta fitojë nga përgjigjet e pyetjeve që do të japë gjatë këtij testimi.

Dhe vetëm kur vlerësohet “Kalueshëm” nga ky testim, atij i çohet emri në Agjencinë Kombëtare të shtetit për të dhënë Provimin e Shtetit. E pasi realizon edhe këtë të fundit, atij i lind e drejta që të marrë lejen e ushtrimit të profesionit të lirë, pranë urdhrit profesional, në këtë rast, Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë.
Pra, këto janë disa detyrime për të cilat ky institucion kërkon të informojë të gjithë studentët që kanë mbaruar studimet e tyre në vitin 2011-2012, të cilët nuk duhet që të humbasin kohë dhe nëse dëshirojnë që ata t’i futen seriozisht këtij profesioni dhe të dalin në profesion të lirë, duhet që menjëherë të realizojnë detyrimet e lartpërmendura. Pra, t’i futen rrugës ligjore për ushtrimin e profesionit, në bazë të ligjeve dhe rregullave të caktuara nga organet kompetente të cilat janë ministria e Arsimit dhe Shkencës; ministria e Shëndetësisë si edhe urdhri profesional, që në këto kushte është Urdhri i Infermierit të Shqipërisë.  /Start/

                                                                                             2012-06-19 15:40
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›