Infermierët i kërkojnë Vasilit kushte pune dhe vlerësim me kredite
Infermierë nga i gjithë vendi janë mbledhur ditën e djeshme në konferencën e dytë të Urdhrit të Infermierëve Shqiptarë. Gjatë këtij takimi morën pjesë drejtues të institucioneve më të larta shëndetësore si Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë,
Drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Terezapor edhe figura mbarëkombëtare si Ambasadorja Zvicerane. Prezantimin e kësaj konference e mbajti Sabri Skënderi i cili është edhe një nga organizatorët e këtij evenimenti por gjithashtu edhe Presidenti i 14000 infermierëve në vendin tonë. Kujdesi infermieror përbën 70 % të kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe rritja e cilësisë së tij është pjesë e rëndësishme e Reformës Shëndetësore në vend. Gjithashtu ky Urdhër i për një periudhë më pak se 2 vjet nga krijimi i tij si institucion dhe me gjithë vështirësitë që ka pasur si institucion i ri, me mungesë të buxhetit financiar si dhe të infrastrukturës se domosdoshme me ambiente dhe mjete për punë, ka punuar me të gjitha mundësitë për konsolidimin e tij. Në fjalën e tij kreu i urdhrit të Infermierëve, Skënderi theksoi ndër të tjera se problematikat aktuale të sistemit infermieror kanë të bëjnë me vlerësimin për punën që bëjnë, për sakrificat dhe vetëmohimin dhe rolin që luajnë në sektorin shëndetësor në Shqipëri. Infermierët sipas Skënderit kërkojnë që të dëgjohen dhe të përfaqësohen më shumë, në të gjitha institucionet ku hartohen politika dhe strategji për kujdesin shëndetësor në Shqipëri. Ndër të tjera kreu i UISH-së deklaroi se: Ne mendojmë se ka ardhur koha që për infermierët, të diskutojnë, të vendosin dhe të drejtojnë vetë infermierët, gjithashtu të kërkojnë kushte pune, hapësira studimi dhe mundësi më të mëdha në të gjitha institucionet për zhvillimin e profesionit të tyre dhe për rritjen e aftësive të tyre profesionale
Etika
Etika e infermierëve, është cilësuar ditën e djeshme në Konferencën e Urdhrit të Infermierëve si një ndër pikat në të cilat çalon sistemi infermieror në vendin tonë. Në fjalën e tij përshëndetëse vetë kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Vasili theksoi se në Ministrinë që ai drejton ka pasur shumë ankesa nga vetë pacientët të cilët kanë vënë në dukje në shumë raste sjelljet e padenja të infermierëve. Sipas Vasilit këto sjellje ndoshta mund të kenë ardhur nga lodhja e nga stresi i punës por gjithsesi etika e infermierëve duhet të jetë primare dhe shumë e rëndësishme në punën me pacientët. Ndër të tjera Ministri i Shëndetësisë Vasili ka kërkuar nga infermierët të rrisin cilësinë e kujdesit ndaj pacientit, si prioritet kryesor ne punën e tyre. Kam thënë shpesh se profesioni i infermierëve është profesion sakrificash, kush arrin ta bëjë është infermier i mirë, në të kundërt ka zgjedhur profesionin e gabuar, u shpreh Vasili gjatë fjalës së tij në konferencën e ditës së djeshme. Ndërsa kryetari i Urdhrit të infermierëve, Sabri Skënderi ka kërkuar që infermierët të përfshihen në sistemin e krediteteve për të matur profesionalizmin e tyre. Na pëlqen sna pëlqen neve, një fjalë e mirë dhe një trajtim i mirë profesional ndihmon në suksesin ndaj një sëmundje por shpesh herë një fjalë e thënë jo në mënyrën e duhur, shpesh e thënë për shkak të lodhjes në punë, hedh në erë gjithë sakrificat e një stafi të tërë mjekësor, ka thënë kreu i Urdhrit të Infermierëve Skënderi. Në të gjithë sektorin shëndetësor numërohen rreth 14 mijë infermierë. Urdhri i infermierëve ka nisur grumbullimin e të dhënave mbi punën e tyre për ti përfshirë më pas në një regjistër kombëtar. Urdhri i Infermierëve ka përgatitur dokumentin themeltar në përmbajtje të të cilit është Ligji, Statuti, Kodi Etik-Deontologjik dhe Rregullorja e Gjykimit Profesional në formën e një libri xhepi i cili do u shërbejë të gjithë infermierëve në Shqipëri për të përmirësuar sjelljet etiko-profesionale dhe për të rritur më lart cilësinë e tyre. Ne po kërkojmë mundësi financiare për ta shumëfishuar atë, për ta bërë të mundur për çdo infermier në Shqipëri. UISH ka filluar punën për hartimin e Regjistrit Kombëtar profesional të profesionistëve të kujdesit. Ne përgatitëm 15 000 kartela regjistrimi me të gjitha të dhënat e duhura. 15 000 karta regjistrimi me kodet përkatëse dhe 15 000 leje për ushtrim profesioni, të cilat u shpërndanë në gjithë Shqipërinë dhe çdo profesionist i plotësoi duke i shoqëruar me dokumentet përkatëse. Në këtë mënyrë krijohet dhe dosja personale e çdo profesionisti pranë Këshillit Rajonal. Ne kemi grumbulluar rreth 90% të këtij dokumentacioni dhe po kërkojmë ndihmë financiare për kompjuterizimin e të gjitha këtyre të dhënave dhe për krijimin e Regjistrit Elektronik, i pari i këtij lloji dhe shumë i rëndësishëm për të gjitha institucionet e sistemit shëndetësor në vend.
Infermierët me kod etike, libër xhepi për rregulloren e trajtimit të pacientëve
Si arritje e Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë, i ngritur me ligjin 9718, i datës 19.04.2007, në zbatim të tij, dhe në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë, është edhe hartimi dhe miratimi i Kodit Etik, statutit dhe rregullores profesionale të infermierëve, të gjitha këto ,që në formën e një libri xhepi, do tu shpërndahen gjithë këtyre profesionistëve në të gjithë vendin. UISH ka bërë me dijeni gjithashtu se aktualisht, është duke përfunduar grumbullimi i dokumentacionit profesional për të gjithë profesionistët e kujdeseve, për krijimin e një regjistri elektronik, i pari i këtij lloji në Shqipëri, dhe shumë i domosdoshëm për të gjitha institucionet shëndetësore për hartimin e politikave dhe strategjive për burimet njerëzore në të ardhmen. Fokusimi kryesor i Urdhërit të Infermierit, do të jetë tek rritja e cilësisë së këtij kujdesi në të ardhmen, duke synuar nivelin e kolegëve evropianë të këtij sektori. Kjo do të bëhet e mundur duke ngritur formimin bazë të këtyre profesionistëve, në nivel universitar, por pa harruar, dhe vlerësuar kontributin dhe eksperiencën e shënuar prej tyre shumë të çmuar, të brezit të infermierëve në vite. Së dyti, shumë i rëndësishëm për arritjen e këtij objektivi, është edhe formimi i vazhdueshëm profesional, i cili është një nga objektivat kryesore të UISH-së dhe gjithë këtyre profesionistëve, për të ecur me hapin e kohës, dhe për tu informuar në mënyrë të vazhdueshme me të gjitha të rejat e shkencës infermierore, si edhe eksperiencat pozitive brenda dhe jashtë vendit. UISH tani ka edhe faqen e tij të internetit, me rubrika, që do të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe që do të çojnë informacionet e reja të kujdeseve infermierore tek të gjithë këta profesionistë në gjithë vendin.
Arta AGOLLI