E Diel, 1 Nëntor 2026

QKR regjistron 2000 biznese në 2010

Biznesi shqiptar duket se nuk i ka ndjerë efektet e krizës globale, edhe pse në vendet e rajoni kjo krizë vazhdon ende. Kështu numri i bizneseve te reja te regjistruara pranë QKR-së, gjatë  periudhës janar-prill të këtij viti, është 2 mijë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Drejtori i Përgjithshëm i QKR-së, Tom Kola, ka bërë të ditur dje se rritja e regjistrimeve të

reja gjatë këtij viti është 27 %. Por krahas regjistrimeve të reja, gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe çregjistrime, por nuk bëhet e ditur shifra. Aktualisht shërbimi i regjistrimit të një biznesi mundësohet në 29 bashki dhe dy dhoma tregtie. Ndërkohë që është hedhur ideja e regjistrimit on-line, projekt që është në hapat e parë. Ndërkohë që një vit më parë numri i subjekteve të reja që janë hapur gjatë vitit që lamë pas ka qenë më i ulëti i viteve të fundit, ku shkak ka qenë kriza ekonomike dhe klima aspak e favorshme e krijuar në vend për biznesin. Sipas drejtorit të QKR-së, Tom Kola, rreth 70 për qind e bizneseve të reja të regjistruara në vitin 2009, i takojnë fushës së tregtisë, kryesisht biznes i vogël. Rritje domethënëse sipas tij, ka njohur regjistrimi i bizneseve me kapital të huaj, shifër rreth 4 herë më e lartë se në vitin 2008. Sipas QKR-së në total në të gjithë vendin, numërohen rreth 130 mijë biznese. Por në këtë listë subjektesh QKR-ja numëron akoma edhe ato të cilat kanë shpallur që prej dy vitesh procedurat e falimentimit dhe tani janë akoma në proces me shtetin, edhe pse aktivitetin e kanë mbyllur me kohë. Hyrja në fuqi e ligjit për uljen e pragut vjetor të xhiros së biznesit të vogël nga 8 në 5 milionë lekë në vit, ka bërë që mbi 5 mijë biznese në të gjithëve vendin të mbyllin aktivitetin. Pasojat negative për ekonominë dhe të ardhurat e buxhetit, janë paralajmëruar që në fillim të muajit dhjetor 2009. Shumë subjekte private nisën procedurat për mbylljen ose ndryshimin e licencës që vitin e kaluar, ndërkohë që kishin paralajmëruar edhe autoritetet tatimore për këto veprime. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve flasin për rreth 5 mijë subjekte private të vogla, të cilat kanë deklaruar mbylljen e aktivitetit. Numri mund të jetë më i madh po ti referohemi situatës kritike që po kalon ekonomia. Administrata tatimore ka ngritur grupe pune të posaçme për të përballuar procesin e kalimit të bizneseve në sistemin e ri tatimor.

Last Updated on Thursday, 13 May 2010 07:54

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›