E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, Grupi Parlamentar mandaton Ramën për bisedimet në Strasburg



Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi dje një mbledhje me Grupin Parlamentar të partisë pas vendimit për ndalimin e grevës së urisë. Mësohet se deputetët e PS-së i kanë dhënë mandatin kreut të partisë Rama që të negociojë për zgjidhjen e situatës politike në Strasburg. Kjo mbledhje e Grupit Parlamentar erdhi pas vendimit për ndërprerjen e grevës së urisë. Rama informoi deputetët për këtë vendim, si dhe u bisedua në lidhje me zhvillimin e bisedimeve në Strasburg. Mësohet se Rama do të shoqërohet nga disa deputetë në darkën e sotme. Në mbledhjen me deputetët u trajtua tema e bisedimeve, por edhe arsyet e ndërprerjes së grevës së urisë. Rama informoi të gjithë deputetët në lidhje me bisedimet me ndërkombëtarët si dhe për pritshmërinë e darkës sot me Berishën në Strasburg. Në mbrëmje Rama do të ulet në një tryezë me kryeministrin Berisha, por i shoqëruar edhe nga krerët politikë të grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian ku do të diskutohet gjerësisht për gjetjen e një zgjidhje, për ngërçin politik. Vetëm një ditë më parë, kreu i PS-së Rama, në mbledhjen me Grupin Parlamentar, kërkoi vijimin e grevës së urisë dhe qëndresës. Nga debati i zhvilluar në brendësi u mësua se Rama u shpreh se një qëndresë e fortë do të “gërryente” kryeministrin Berisha në fund të kësaj mbledhjeje, ndryshe nga mbledhja e djeshme e grupit, Rama tha se “përmes transparencës do shkojmë në zgjedhje të parakohshme”. Po në të njëjtën mbledhje, disa sugjeruan që të shkohet deri në zgjedhje të parakohshme. Kreu i grupit parlamentar Gramos Ruçi tha në mbledhjen e një dite më parë para mbylljes së grevës së urisë se “nëse nuk plotësohen kërkesat tona, do ta mbyllim grevën dhe do ta shpallim Qeverinë të paligjshme dhe do të kërkojmë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›