Infermierët nuk marrin shtesën e pagës
Laborantët e Institutit të Shëndetit Publik dhe infermierët e Spitalit Ushtarak nuk kanë marrë shtesën në pagë që prej katër muajsh. Të parët kanë protestuar dje në ambientet e ISHP-së, ndërsa personeli i mesëm i ushtarakut ka kërkuar sqarim në zyrën e financës. Sipas tyre, deri tani nuk ka pasur asnjë shkresë për lëvrimin e fondeve për shpërndarjen e shtesave për infermierët e spitalit. Janë më shumë se 100 punonjës, të cilët punojnë në Spitalin Ushtarak, pavarësisht vendimit të Këshillit të Ministrave nuk kanë marrë shtesën në pagë. Sipas tyre edhe vjet ka ndodhur e njëjta gjë. Për këtë kategori shtesa arrin deri në 23%. Por të njëjtin pretendim kanë edhe specialistët e ISHP-së. Ata pezulluan dje punën për një orë, duke e cilësuar harresën një padrejtësi, pasi nga ky vendim kanë përfituar të gjithë mjekët e spitaleve, përveç tyre. Kryetari i sindikatës së punonjësve shkencorë të ISHP, Dritan Ulqinaku, i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë për zbardhjen e vendimit sa më parë.