E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për Damir Fazlliç, prokuroria heton policinë

 

Udhëtimi i biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç në Shqipëri dhe largimi i tij pa u marrë në pyetje nga hetuesit e dosjes së hapur për “pastrim parash” është bërë shkak për një përplasje të heshtur mes policisë dhe prokurorisë. Organi i akuzës lë të kuptohet, se policia nuk ka vepruar në aeroportin e Rinasit lidhur me ftesën, që Prokuroria kishte dërguar aty në adresë të biznesmenit Damir Fazlliç, ku kërkohej paraqitja e tij e menjëhershme për tu marrë në pyetje. Nga ana tjetër policia, pretendon se shkresa e Prokurorisë ka mbërritur me vonesë në kohën kur avioni “Charter”, i biznesmenit boshnjak ishte shkëputur nga toka shqiptare. Burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton çështjen, thanë se një hetues i Task-Forcës ishte dërguar tri ditë më parë në Rinas për të marrë aty në pyetje biznesmenin kroat, nëse ai refuzonte paraqitjen në organin e akuzës, ku ishte ftuar të dëshmonte. Prokuroria pranoi se ka pasur një mospërputhje në orarin e largimit të biznesmenit dhe kohën e dërgimit të ftesës për pyetjen e tij në policinë e Rinasit. Përplasja mes dy institucioneve duket se merr përmasa serioze për shkak se Prokuroria është duke hetuar të gjitha procedurat e ndjekura nga policia e Rinasit kundrejt 33-vjeçarit Fazlliç. Ditën e largimit të tij në mënyrë të rrufeshme, por edhe dje, hetuesit e Prokurorisë së Tiranës kanë marrë kasetat e kamerave të sektorit VIP dhe terminalit të udhëtarëve, për të parë veprimet e policisë, biznesmenit dhe kohën kur janë kryer ato. Hetuesit e Prokurorisë së Tiranës, kanë marrë në pyetje gjithashtu, të gjithë policët e shërbimit në kohën e lëvizjes së Damir Fazlliç, madje edhe drejtuesit e komisariatit të Rinasit. Për llogari të hetimit lidhur me akuzën “pastrim parash”, Prokuroria dje ka bërë verifikime në Drejtorinë e Doganave dhe të Tatimeve, lidhur me çdo veprim dhe transaksion të kryer nga katër kompanitë ekzistuese në Shqipëri, që janë regjistruar në emër të Damir Fazlliçit.
Zbardhet itinerari
i Fazlliçit
Damir Fazlliçi kishte pak sekonda që ishte ngritur me avionin e tij nga Rinasi, kur shkresa e prokurorisë kishte mbërritur në zyrën e shefit të komisariatit të aeroportit. Burimet zyrtare thanë dje për gazetën “Panorama”, se biznesmeni boshnjak, ka lënë pikën e kalimit kufitar të Rinasit, rreth orës 15:05, për të marrë avionin “Charter”, me të cilin u largua nga vendi ynë ndërsa 101 minuta më vonë ka mbërritur ftesa e Prokurorisë. Të njëjtat burime sqaruan se avioni me të cilin Damir Fazlliçi ka mbërritur në Tiranë, është ulur në pistën e Rinasit rreth orës 11:20, ndërsa në pikën e kalimit kufitar 33-vjeçari boshnjak, ka kaluar në orën 11:30. Ai është pritur në seksionin e VIP-ve nga një grup personash, ndërsa më parë, terminali VIP, në varësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, ishte njoftuar për mbërritjen e tij. Pasi ka kaluar të gjitha procedurat e zakonshme të kontrollit, pagesën e taksës së hyrjes në vlerën 10 euro, Damir Fazlliç është nisur në drejtim të Tiranës. Rreth orës 15:00, ai ka mbërritur në aeroportin e Rinasit në kthim për të marrë avionin “Charter”, që e priste për t’u larguar nga Shqipëria. Në kthim biznesmeni boshnjak, ka përdorur për dalje nga Shqipëria terminalin e zakonshëm ku kalojnë të gjithë udhëtarët. Në pikën e kalimit kufitar ai është regjistruar në orën 15:05, duke lënë aeroportin pasi është nisur drejt avionit të tij. Ndërsa “Charter”-i bëhej gati për të fluturim, rreth orës 15:15, në sekretarinë e komisariatit të Rinasit, ka mbërritur një shkresë nga Prokuroria e Tiranës, që ftonte biznesmenin të merrej në pyetje për hetimin e hapur ndaj tij për “pastrim parash”. Kur shefi i komisariatit të Rinasit ka mbërritur në zyrën e tij i njoftuar nga sekretarja, aeroplani i vogël “Charter”, ku ndodhej biznesmeni ka lënë pistën e aeroportit të Rinasit.                                      t.s/d.b

“Asnjë forcë policore për Fazlliç”

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, hodhi poshtë pretendimet e opozitës se biznesmeni Fazlliç është shoqëruar nga forcat e policisë gjatë vizitës së tij disa orëshe në Tiranë. Ai theksoi se, “nuk ka pasur eskortë për shoqërimin e Fazlliç por janë punonjësit e terminalit të aeroportit, të cilët zbatojnë detyrën duke ushtruar kontrollet”. “Nuk ka pasur asnjë informacion apo indicio që jeta e tij po rrezikohet dhe më pas policia ta merrte në mbrojtje apo shoqërim. Spekulimet që bëhen janë për shkak të punës rutinë të punonjësve të policisë së terminalit të aeroportit “Nënë Tereza”, të cilët janë 24 orë në krye të detyrës së tyre dhe që janë të detyruar të zbatojnë ligjin”, sqaroi Nishani.

Fazlliç, kafe në Tiranë me drejtorin e këshilltaren e Berishës

Itinerari i vizitës së Damir Fazllic në Tiranë nuk përfshin vetëm mbërritjen në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, intervistën e tij në televizionin “Klan” në emisionin “Opinion” dhe më pas udhëtimin në Rinas. Në orën 11.15 një avion ‘Charter’ është ulur në aeroportin e Rinasit, nga ku ka dalë pikërisht njeriu më i përfolur në vendin tonë javën e fundit, biznesmeni serbo- boshnjak. Sapo ka zbritur nga avioni, ai është shoqëruar nga truproja e tij. Gjatë kalimit nëpërmjet ambienteve të brendshme të aeroportit ndërkombëtar, Fazlliç nuk ka pranuar të flasë për mediat, megjithëse këto të fundit e prisnin për të komentuar akuzat e fundit që janë ngritur në drejtim të tij. Burime të sigurta thanë dje për gazetën “Panorama” se, pas largimit nga aeroporti i Rinasit, biznesmeni serbo-boshnjak është ndalur në një nga kafet e kryeqytetit, pikërisht në zonën pranë “Zogut të Zi”. Mësohet se Fazlliç ka qenë në kafe për rreth 30 minuta me një drejtor shumë të rëndësishëm si dhe me një këshilltare të kryeministrit Berisha. Pas kësaj ndalese, ku nuk kanë munguar vështrimet habitëse të qytetarëve të shumtë që ndodheshin në atë moment në zonën e “Zogut të Zi”, Damir Fazlliç është shoqëruar për në studiot e televizionit “Klan” ku do të regjistrohej intervista. Pas bisedës në studio, ku i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarit për ngritjen e bizneseve në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, apo edhe me kunatin e këtij të fundit, Erion Isufi, Damir Fazlliç është drejtuar sërish për në aeroportin e Rinasit ku është larguar nga Shqipëria.

Meta: Shteti u vu në dispozicion të Fazlliç

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, denoncoi dje mënyrën se si u operua nga strukturat shtetërore vizita blic e Damir Fazlliç në Tiranë. “Vendosja e shtetit në dispozicion të një personazhi me një  back-ground krejtësisht të dyshimtë dhe kriminal, i akuzuar për pastrim parash dhe trafiqe, sikurse është Fazlliç, tregon qartë kapjen e thellë të Kryeministrit Berisha dhe të Qeverisë së tij prej qarqeve mafioze dhe trafikante nga më të dyshimtat dhe më të errëtat e rajonit të Ballkanit. Njëkohësisht tregon qartë se sa të pashpresa janë reformat që mund të mendojë cilido që mund të kryejë në këtë vend me Berishën në interes të forcimit të shtetit të së drejtës”, tha Meta.

Kuvend, PS: Shteti i kapur nga serbët

BLEDAR HOTI

Vizita e papritur e Damir Fazlliçit në Tiranë shkakton debate të ashpra në Parlamentin shqiptar. Diskutimet jashtë rendit të ditës janë fokusuar te vizita e Fazlliçit, ku përplasjet mes maxhorancës dhe opozitës kanë degjeneruar dhe në fyerje banale. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, ka deklaruar se serbët kanë kapur qeverinë shqiptare, duke kritikuar njëkohësisht dhe rolin e luajtur nga ana e policisë shqiptare. Ai e cilësoi vizitën e Fazlliçit si dita më e zezë e historisë kombëtare. “Të gjithë këto institucione policia, SHISH, Prokuroria, pardje dështuan, ata sot nuk ekzistojnë më! Të paktën nga pikëpamja e zbatimit të Kushtetutës, zbatimit të ligjit, funksionimit të tyre në luftën kundër krimit dhe natyrisht, garantimit të sigurisë kombëtare në këtë vend. Të gjitha këto institucione u urdhëruan të dështonin, të bënin sehir se si kryeministri me një “polic të shtetit”, garantonin të bridhte lirisht në mes të kryeqytetit një “pleh i krimit të organizuar”, njeriu “më i akuzuar për krime të përbindshme në Ballkan”, “korrieri më i besuar i kriminelëve më në zë të Serbisë, Bosnjës”, madje dhe Kroacisë në krizë prej krimit (kështu thonë gazetat boshnjake)”, deklaroi Braçe. Nënkryetari i grupit të PS-së, kërkoi që presidenti Topi të reagojë menjëherë, pasi sipas tij, kjo është një çështje e sigurisë kombëtare e të kërkojë dorëheqjen e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në të kundërt sipas tij, “PS do të udhëheqë shqiptarët për të larguar pushtimin serb nga Shqipëria”. Ndërsa socialisti Pandeli Majko u shpreh se, ngjarja e ndodhur ka kthyer në Shqipëri, Dushan Mugoshën. “Prandaj unë dua të di, këta horra sa kohë do vazhdojmë t’i kemi mbi shpinë dhe ky është një pikë e mjerë jo vetëm për të djathtët, por edhe për të majtët, pastaj flasim për historinë e dosjeve, leshit dhe preshit këtu në Parlament”, deklaroi Majko. Por ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka hedhur poshtë qëndrimet se “policia ka ndihmuar Fazlliçin gjatë vizitës së tij në Tiranë”. Ai i cilësoi këto qëndrime si spekulime të opozitës. Ndërsa deputeti i PD-së, Edi Paloka, tha se opozita nuk bëhet duke krijuar skandale. “Opozita nuk mund të krijojë skandale dhe motive për të bërë opozitën. Ju e caktoni ‘kriminelin’ dhe pastaj i gjeni lidhjet ‘kriminale’ me Berishën, duke filluar prapë nga historitë se si është bërë licenca. Me akuzat e ngritura po bëheni qesharakë”, theksoi Paloka. Ndërsa gjatë diskutimit të Braçes, është krijuar një incident ndërmjet Topallit dhe socialist Bello, por që është mbyllur pa probleme.

Debati në Parlament

Pandeli Majko: Pardje ka qenë një ditë e keqe për Shqipërinë dhe për shqiptarët, sepse një horr-horri ka ardhur nga aeroporti, ka dhënë intervistë dhe është larguar dhe ministri i Brendshëm duhet të na thoshte çfarë ka ndodhur, kush e ka shoqëruar dhe pse ka ardhur dhe a ka qëndruar ky nën mbrojtjen e Ministrisë së Brendshme. Dje ky njeri na solli kohën e Dushan Mugoshës në politikën shqiptare.
Bujar Nishani: Së pari, nuk ka pasur asnjë kërkesë, nuk ka pasur asnjë informacion apo indicie që jeta e Damir Fazlliç të rrezikohej. Spekulimet që bëhen janë për shkak të punës rutinë të punonjësve të terminalit të Rinasit, të cilët janë të detyruar të zbatojnë për shkak të ligjit, kontrollin dhe ndihmën e kërkuar nga të gjithë shtetasit për kalimin e pikës kufitare, qoftë në hyrje dhe në dalje.
Vangjel Tavo: Zoti ministër Nishani, nuk keni pse gënjeni, pasi Fazlliçin e kanë shoqëruar drejtuesit e komisariatit numër 4 të policisë.
Pëllumb Xhufi: Berisha i bëri sfidën, thyerjen dhe poshtërimin më të rëndë institucioneve të shtetit dhe vetë shqiptarëve. Ashtu siç kishte premtuar nga tribuna e Parlamentit, ai solli në Tiranë kreun e mafies ballkanike, njeriun e shërbimeve sekrete serbe, të kohëve të Millosheviçit, edhe të kohëve më të reja, në një vizitë që u krye sipas të gjitha rregullave të kodit mafioz.
Genc Pollo: Ky skandal, i krijuar njësoj si skandali për vdekjen e Kosta Trebickës, do të fashitet. Në dijeninë time nuk ka një fakt ku të ketë një shkelje ligjore të qartë nga biznesmeni Fazlliç, përveç akuzave të jashtëzakonshme që shfaqen në debatin publik si meteorët dhe që po ashtu do të zhduken.
Taulant Balla: Ne si deputetë, kemi ftuar të flasin në këtë foltore presidentë, kryetarë senatesh dhe parlamentesh, kryeministra, ndërsa Sali Berisha tha se, do të sillte këtu një individ që arrestohet në prani të një krimineli lufte, apo mik i vrasësit të një kryeministri në detyrë.
Erjon Braçe: Gjithë institucionet e sigurisë dështuan dje. Me urdhër të kryeministrit institucionet u vendosën në mbrojtje të Damir Fazlliç. Një komisariat i tërë u vu në shërbim të kriminelit, ndërkohë nuk vuri një polic në mbrojtje të Trebickës.
Jozefina Topalli: Ulu zoti Braçe, ju mbaroi koha... Marko ça ke, rri mër Marko aty......
Marko Bello: Pse do më kapësh prej zhelesh, lërë atë të flasë.
Jozefina Topalli: Të paralajmëroj për të dytën herë, do të nxjerr përjashta.
Marko Bello: Me mua e ke, do më nxjerrësh prej zhelesh?
Një pjesë e deputetëve ikin nga salla.
Spartak Ngjela-Erjon Braçes: Mos u merrni me këta nëse keni forcë nxirrini njerëzit në protesta.
Jozefina Topalli: Fjalën e ka Edi Paloka.
Edi Paloka: O kryetare, do i thoni këtyre të rrinë urtë, apo nxirri jashtë të gjithë këto nga salla (për deputetët e opozitës).

Debati, maxhoranca lë pezull mocionin e PS

Kuvendi nuk ka përcaktuar një datë se kur do të zhvillohet mocioni me debat i kërkuar nga ana e Partisë Socialiste. Konferenca e krerëve të grupeve parlamentare nuk ka përcaktuar datën se kur do të zhvillohet debati i kërkuar nga ana e socialistëve. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, pas mbledhjes së konferencës, deklaroi se “nuk u vendos një datë e caktuar, pasi ajo duhet të përcaktohet mbi bazën e axhendës që ka kryeministri”. Burime nga mbledhja bëjnë të ditur se, përfaqësuesja e opozitës, Valentina Leskaj, ka kërkuar që debati me kryeministrin të zhvillohet të enjten e ardhshme. Por është hedhur poshtë si opsion nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës, duke propozuar që caktimi i debatit për mocion të realizohet në një mbledhje të ardhshme të konferencës së kryetarëve, pasi të kontaktohet me kryeministrin për një çështje të tillë. Rregullorja e Kuvendit e parashikon se pas depozitimit të kërkesës për mocion me kryeministrin, Kryetarja e Kuvendit mbledh brenda 3 ditëve konferencën, ku brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës duhet të miratohet data e debatit. Konferenca gjatë miratimit të kalendarit të punimeve për periudhën nga 13 tetori deri më 3 nëntor, nuk ka përcaktuar datën se kur do të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në një kohë që puna e komisionit të reformës mbaron më 31 tetor të këtij viti. Në axhendën e punimeve të Kuvendit është përcaktuar se debatin për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për buxhetin faktik të vitit 2007, do të bëhet të hënën e ardhshme.                                                           b.h

BLENDI FEVZIU

Fazlliç: Solla Tom Rixh në Shqipëri

Damir Fazlliç, pranon se i ka shitur kompanisë së tij në Qipro "Altaria Research ltd" kompaninë që ka po nën pronësinë e tij në Tiranë "Croën Acquisition" në vlerën 1.7 milionë euro. Në një intervistë në emisionin "Opinion" në "TV Klan" biznesmeni flet për takimin e parë me Berishën, si dhe njohjen me Lulzim Bashën e kunatin e tij.
Në Shqipëri ju keni vetëm 4 kompani zoti Fazlliç, me një total prej 4 mijë dollarësh. Ky është investimi juaj?
Jo. Një nga kompanitë e mija dhe kam mësuar se ka pasur shumë keqkuptime rreth saj në media, është "Croën Acquisition", e cila është ende në pronësinë time. Kjo kompani iu shit ligjërisht për 1.7 milionë euro një kompanie qipriote të quajtur "Altaria Research lid", e cila gjithashtu është në pronësinë time. Më lini t'jua shpjegoj këtë gjë. Unë kam investuar në Shqipëri në fushën e pasurive të patundshme ende të pashfrytëzuara, në fakt kam investuar shumë në pasuritë e patundshme të pashfrytëzuara, përreth Tiranës dhe në vende të tjera me vizionin për t'i zhvilluar këto pasuri të patundshme. Kur bleva këto pasuri të patundshme në Shqipëri, i kam blerë nën kompaninë "Croën Acquisitions", në pronësi të Damir Fazlliçit. Tani që po synoj zhvillimin e kësaj pasurie të patundur, kam nevojë për burimet që kam në kompaninë time qipriote për të menaxhuar investimet e ardhshme në Shqipëri.
Pse?
Sepse kam njerëz që janë punësuar atje, kam njerëz që menaxhojnë investimet e mia të ardhshme në botë që drejtohen nga kompania në Qipro. Kështu, që sa të fillojmë investimin fizik, rigjallërimin e pasurisë së patundshme që kemi blerë, për ta vënë atë në shfrytëzim ne do të kemi njerëzit që do të punojnë në Tiranë, që do të menaxhojnë këto investime. Tani për tani, këta janë nën kompaninë time qipriote për shkak se do na duhet ta zhvillojmë këtë tokë. Për ta zhvilluar këtë tokë ne duhet të paguajmë arkitektë, studimet gjeometrike, studimet e nevojshme, dhe meqë ra fjala, këto studimet e nevojshme 90 për qind po realizohen nga stafi lokal këtu dhe paguhen nga kompania mëmë në Qipro.
Zoti Fazlliç, ju ia keni shitur kompaninë tuaj, vetvetes. Ky është pastrim i pastër parash apo jo?
Absolutisht jo. Le të kthehem edhe njëherë e të ta shpjegoj se si ndodhi. 1,7 milionë euro.
Për një kompani që ka 4 mijë dollarë kapital?
Jo, të ftoj ty dhe çdo gazetar tjetër të shkojë në zyrën e tatimeve dhe të shohë se çfarë zotëron kjo kompani në pasuri të patundshme. E bëra vetë. I kërkova dikujt që të shkojë fizikisht në zyrën e taksave dhe të kërkojë bilancin. Do ta shihni se bilanci i kësaj kompanie reflekton saktësisht 1.7 milionë euro, shumë për të cilën u shit tek kompania mëmë, me qëllim zhvillimin e tokës. Kur ta shes këtë kompani "Croën Acquisition", dikur në të ardhmen, nëse planet që kam ndërtuar shkojnë mirë dhe nuk kam arsye për të dyshuar, do ta shes, le të shpresojmë, për shumë më tepër para. Dhe atëherë do të jem në gjendje t'i paguaj shtetit taksën për diferencën. Pra…
Sipas Zyrës së Regjistrimit të Biznesit në Shqipëri, ju keni 4 kompani me një kapital total prej 4 mijë dollarë? 1 mijë dollarë secila. Cila është pasuria juaj e vërtetë në Shqipëri?
Pasuri ime e vërtetë në Shqipëri? Po jua shpjegoj edhe njëherë. Kam investuar në pasuri të paluajtshme të pazhvilluara. Arsyeja që e kam bërë këtë gjë është sepse besoj që qeveria e Shqipërisë po bën veprimet e duhura për të tërhequr investime të huaja serioze në Shqipëri. Qeveria e Shqipërisë ka ulur taksën në nivelin e sheshtë prej 10 për qind, që është shumë i favorshëm për investimet e huaja direkte. Nëse kthehemi tek 4 mijë dollarët, ky është kapital fillestar që duhet për të filluar një kompani. Nëse kompania fillon aktivitetin ajo mund të sigurojë pasuri të patundshme e çdo gjë tjetër…
Cila është pasuria juaj në Shqipëri?
Shpresoj që bizneset e mia në Shqipëri të vlerësohen në më shumë së 50 milionë euro. Veçanërisht në pasuri të patundshme. Mbasi të zhvillohet shpresoj se do të ketë një vlerë më të lartë.
Kur keni qenë për herë të parë në Shqipëri?
Në fund të 2004-s.
Me kompaninë "BG&R"?
Jo. Erdha për të parë mundësi të ndryshme investimi. Siç thashë kompanitë e mia kanë bërë biznes në këtë rajon, kompanitë e mia private. Erdha në Shqipëri për të parë mundësi të ndryshme të pasurive të paluajtshme.
Ju i hapët kompanitë tuaj në Shqipëri më shtator 2005. Në të njëjtën kohë kur Berisha u bë Kryeministër. Si e kuptuat në 2 muaj, nga 3 korrik kur Berisha fitoi zgjedhjet deri në shtator, se qeveria e Berishës nuk ishte e korruptuar?
Më lër t'i përgjigjem kësaj duke bërë pak histori. Më 2004 unë u takova me Zotin Berisha.
Ku?
Ku? Në Tiranë. Herën e parë që u takuam ai dhe unë folëm natyrisht për politikën. Unë jam një republikan i zjarrtë, për qeverisjen e vogël, qeveria nuk duhet të ndërhyjë në biznes apo në jetët e njerëzve, dhe gjeta nga ana tjetër e tavolinës dikë me të cilën, ndoshta për herë të parë në Ballkan, isha dakord 100 për qind për mënyrën se si duhet të funksionojë qeveria.
Do ju pyes më vonë për këtë. Por zoti Fazlliç çfarë ndodhi në Sarajevë të shtunën mbasdite?
Le t'i saktësojmë datat dhe e kuptoj se çfarë do të thuash tani. Ndodhi të enjten, jo të shtunën. Të premten isha në Londër, të dielën isha në Londër. Të enjten gjatë ditës po haja drekë me disa miq në një restorant në Sarajevë. Gjysmë ore pasi kishim filluar drekën, është një restorant i vjetër tradicional, kur shkoj në Sarajevë më pëlqen të shkoj në një restorant të vogël tradicional ku shërbejnë ushqim boshnjak. Pra, unë shkova atje për drekë me miq të mi dhe gjysmë ore mbasi kemi filluar drekë një person që ishte ulur në tavolinën ngjitur me ne u arrestua. Ishte një skenë si ato të filmave, kur ata erdhën, forcat speciale, nuk e kam idenë kush ishin.
Zoti Berisha tha në Parlament, 3 ditë më parë, që ai mund t'ju sjellë ose… ai tha që unë mund ta sjell zotin Fazlliç këtu për të folur me ju.
Oh, do të më pëlqente shumë kjo.
Pas incidentit në Sarajevë, po e quaj incident, a keni folur me zotin Berisha?
Kam folur me atë 1 herë.
Dhe për çfarë folët?
I telefonova për ta pyetur çfarë është gjithë kjo gjë që po ndodh në Shqipëri. Ai qeshi e më tha është, denigrim politik e më pyeti si është familja ime.
A njihni personalisht politikanë të tjerë shqiptarë përveç zotit Berisha?
Po, patjetër. Kur erdha këtu gjatë fushatës së Partisë Demokratike, miku im më prezantoi me shumë të rinj që ishin kthyer në Shqipëri nga vende të ndryshme të botës, nga shkolla shumë të mira, për t'u bërë pjesë e kësaj, nuk më pëlqen të përdor fjalën lëvizje, por ajo ishte diçka që vërtet ngjante me një lëvizje politike. Kaq me energji, më duket se quhej KOP. Ishin kaq me energji, donin të ndryshonin vendin dhe po e them përsëri që kanë bërë një punë shumë të mirë për ta ndryshuar vendin, dhe i kam takuar të gjithë. Kam kaluar shumë kohë pothuaj me të gjithë në KOP. Për shembull Lulin apo ministrin Basha. Kam lexuar disa nga gjërat që kanë shkruar, kjo është….
Nuk ishit ju ndërmjetësi për ardhjen e "BGR" në Shqipëri?
A isha unë ndërmjetësi për ardhjen e "BGR"? Jo. "BGR" u kontraktua nga Partia Demokratike e Shqipërisë. Partia Demokratike më pati pyetur mua se cila mund të ishte firma më e mirë që mund t'i ndihmonte ata në promovimin e mesazhit të tyre dhe po, mes të tjerave ju thashë "BGR".
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me zotin Basha? Ai ishte një djalë i ri më 2005, është ministër aktualisht, ishte ministër shumë i rëndësishëm më 2005.
Me duhet të them që është ministër shumë i mirë. Ai është njeri i zgjuar i shkëlqyer me një familje të mrekullueshme. Ai dhe gruaja e tij kishin këto punë fantastike jashtë Tiranë. E braktisën të gjithë këtë, u kthyen, sepse ai pa tek ky njeri më i madh në moshë, zoti Berisha, atë që edhe unë pashë, vullnetin për t'i formësuar gjërat, për të ndryshuar vendin. Përsëri unë kthehem tek zgjedhjet në Amerikë. Shikoni të dy, Mekeinin dhe Obamën. Për çfarë po flasin ata? Për t'i shkundur gjërat dhe për t'i ndryshuar. Të dy ata. Praktikisht janë duke konkurruar kush mund t'i shkundë gjërat më shumë dhe t'i ndryshojë. Kjo është ajo ç'ka sipas mendimit tim, Berisha bëri në Shqipëri.
Por pse kunati i tij zoti Isufi ishte administrator i katër kompanive që ju keni në Shqipëri?
Unë bëj biznes bazuar mbi besimin. Një pjesë e madhe e biznesit tim është e bazuar mbi besimin. E takova Erionin më 2005-n dhe i kërkova….
Përmes zotit Basha?
Nuk e mbaj mënd a e takova përmes zotit Basha? Natyrisht. Direkt apo indirekt nuk di. Por ai është një djalë i ri shumë i zoti dhe i zgjuar. I kërkova nëse mund të më ndihmonte me disa nga bizneset. Ai më ndihmoi. Punuam së bashku. Ai nuk qe asnjëherë partner në biznes. Ai ishte administrator i një kompanie. U përpoqëm të bënim disa gjëra me atë kompani, por mori më shumë seç e kisha menduar në fillim. Ishte një mundësi potenciale për investime në pasuri të patundshme. Dhe një ditë ai vjen e më thotë që do të donte, në fakt ai bëri atë që do të bëja edhe unë po të isha në pozicionin e tij. Ai donte të ndiqte biznesin e tij personal. Ai është një djalë i ri shumë i zoti dhe besoj që ka për të qenë i suksesshëm në të ardhmen.
Më fal. Ju thatë që unë s'mund të gjej qoftë edhe një copë letër që tregon se ju keni marrë pjesë në tenderat publikë. Por në media është thënë që ju jeni partner apo lobist për "Rudnapin", një kompani e cila shet energji KESH-it shqiptar për 34 milionë euro.
Përsëri asnjë copë letër, asgjë që provon që unë kam lidhje me…
E njihni këtë kompani?
Po e njoh. "Rudnap" është kompani e madhe serbe.
Zoti Fazlliç, le të kthehemi tek zoti Isufi, kunati i zotit Basha. Pse u largua nga kompanitë e tua?
Ai bëri atë gjë që do të bëjë unë. Që do të thotë asnjëherë nuk pasurohesh duke punuar për dikë tjetër. Pasurohesh duke punuar për vete. Dhe ai si një djalë i ri i zgjuar ka filluar bizneset e tija private.
Do ju bëj pyetje të tjera. Ju kemi parë në televizor me zotin Berisha dhe zotin Tom Rixh. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me zotin Rixh?
Zoti Rixh është mik i imi.
Prania e tij në Shqipëri ndodhi me ndërhyrjen tuaj?
Jo. Herën e parë që ai erdhi në Shqipëri, erdhi me mua. Dhe ai u takua me zotin Berisha. Është njeri i madh dhe një politikan shumë i realizuar dhe natyrisht që zoti Berisha qe i lumtur që u takua me të dhe folën për shumë gjëra dhe si rezultat, zoti Rixh ndihmoi për aplikimin tuaj shumë të suksesshëm në NATO dhe gjëra të tjera në fushën e sigurisë. Por kjo ka qenë punë e zotit Rixh dhe nuk ka patur asnjë lidhje me mua.
Sipas medias, prokuroria shqiptare ka filluar një hetim. Jeni në dijeni?
Jo nuk e di. Për çfarë bëhet fjalë? Do të doja që të gjitha këto çështje të shqyrtoheshin krejtësisht sepse nga ato që pashë në media shumica, shumica e atyre gjërave ishin absolutisht gënjeshtra, të cilat mund t'i gjeje vetëm në kohën e komunizmit në Shqipëri, Jugosllavi dhe në disa vende të tjera. Kjo nuk është politika e së ardhmes.
Çfarë do të bëni nëse zoti Rama do të bëhet Kryeministër i Shqipërisë?
Do të mendoj se çdo të bëj, sepse nga ajo që shoh nuk mund të ketë politikë të së ardhmes tek ato që bëjnë individët e Partisë Socialiste dhe tek zoti Rama. Ka shumë gjëra të së shkuarës. Si biznesmen do t'i peshoj mirë opsionet e mia.
Do ta vazhdoni biznesin?
Shpresoj që po.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›