E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Social-Demokrate: Raporti, më kritiku për Shqipërinë gjatë këtyre 18 viteve



Partia Social-Demokrate e konsideron raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si raportin më kritik që i është bërë Shqipërisë gjatë 18 viteve pluralizëm. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PSD-së, Diana Çuli, tha se PSD-ja vlerëson dhe mbështet raportin e fundit të Departamentit të Shtetit, por nga ana tjetër shpreh shqetësimin për ecjen mbrapa që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre katër viteve si rezultat i kësaj qeverisjeje të dështuar. “Partia Social - Demokrate vlerëson dhe mbështet raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Nga ana tjetër, ne shqetësohemi pa masë për ecjen mbrapa të shoqërisë shqiptare në këta 4 vjet, për shkak të keqqeverisjes së sotme. Raporti i përqendron dhe i adreson kritikat e tij drejtpërdrejt qeverisë shqiptare për ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, në problemet e pronësisë, në hetimin për Gërdecin, për ushtrim presioni ndaj medias, për klimë konfliktualiteti me institucionet e pavarura dhe të korrupsionit galopant. Ky është raporti më kritik i 18 viteve të fundit, i hartuar nga partnerët tanë ndërkombëtarë ndaj një qeverie shqiptare. Gjithashtu, raporti e konsideron problem të madh respektimin e të drejtave dhe aksesin per informacion të qytetarëve”, - tha Çuli. Deputetja e PSD-së theksoi se fakti që partneri kryesor i Shqipërisë, SHBA, publikon një raport të tillë në fazën finale të anëtarwsimit në NATO, dëshmon se ky anëtarwsim është meritë e shqiptarëve dhe jo e qeverisë së dështuar “Berisha”. “Vetë fakti se partneri ynë kryesor, SHBA, publikon një raport të tillë në fazën finale të anëtarësimit në NATO, dëshmon edhe një herë se ky anëtarësim është meritë e shqiptarëve dhe jo e qeverisë së sotme; se ky anëtarësim në NATO realizohet edhe për shkak të mbështetjes së veçantë të mikut tonë të madh, edhe për shkak të rrethanave gjeopolitike të Shqipërisë. Raporti vjen në një kohë kur edhe BE shprehet jo i gatshëm për aplikimin si vend kandidat dhe kjo situatë përsëri na shqetëson”, - tha deputetja e PSD-së Diana Çuli.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›