E Diel, 1 Nëntor 2026

Informacion i klasifikuar opozita akuzon Haxhinaston

Raportimi konfidencial i ministrit të Jashtëm Edmond Haxhinasto, në komisionin e sigurisë, është përcjellë me replika dhe akuza nga opozita; çka solli edhe anullimin e seancës dëgjimore. I thirrur nga të majtët për informacionin e klasifikuar në shërbimin e jashtëm, Haxhinasto ka dashur të flasë me dyer të mbyllura. Por kjo nuk është pranuar nga të majtët, të cilët kanë akuzuar për mungesë transparence.

"Ministri është titullar i institucionit dhe mendon që materiali që do të thotë te ne është i klasifikuar. Unë do t'i kërkoj ministrit që të na japë materialin konfidencial, por duke u garantuar nga ju që materiali nuk do të dalë para se të diskutohet", tha deputeti i PD-së, Leonard Demi.

"Kjo i hap rrugë një precedenti tjetër, që çdo anëtar i kabinetit mund të shkojë në çdo komision parlamentar të thotë që nuk do prezencën e medias sepse informacioni që do të japë është informacion i klasifikuar. Ministria e Jashtme, të na sjellë informacionin ashtu siç na e sjell SHISH, ku deputetët informohen para se ta bëjnë në seancë dëgjimore të mbyllur dhe pastaj bëjnë seancën dëgjimore", tha deputeti Gazmir Bizhga.

"Ju interesin e keni që të flas unë para medias për situatën e sigurisë në shërbimin tonë të jashtëm, apo keni merak që të shikoni që si është ju si komision? Se po të ishit të interesuar ju si komision, besoj që do të pranonit që të mos kishte media dhe pastaj mund të bëni intervista dhe ta merrni ju përgjegjësinë për ato që thoni në publik

Raportimi i ministrit do të zhvillohet një ditë tjetër pasi ai t’u ketë sjellë deputetëve, të shkruar informacionin mbi të cilin do të raportojë. Opozita tha informacionet sekrete të shtetit shqiptar nuk janë të sigurta dhe këtë e konfirmon edhe një rast i vjedhjes së një kompjuteri me informacion të klasifikuar të ambasadës sonë në Nju Jork.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›