"Zyrtari i Çelsit kërkoi të mos ndëshkojë disa lojtarë"
Episodet e "dyshimta" ndodhin edhe në futbollin elitar. Gjyqtari danez, Klaus Bo Larsen, rrëfeu se përpara ndeshjes së parë çerekfinale të Ligës së Kampioneve, ndërmjet Çelsit dhe Liverpulit, një zyrtar i bluve i kërkoi të mos ndëshkonte disa lojtarë. Një pjesë e futbollistëve të Hidink kishin kartonë të verdhë dhe rrezikonin të pezulloheshin për takimin e kthimit. Drejtuesit në "Stemford Brixh" nuk e përgënjeshtruan lajmin, përkundrazi pohuan se nuk kanë bërë asnjë shkelje, pasi kërkonin një arbitrim të drejtë për të dyja skuadrat. "Një përfaqësues i Çelsit m‘u afrua dhe më tha, ‘Klaus Bo, mos harro se disa prej lojtarëve tanë e kanë një karton dhe nuk do ishim të kënaqur sikur ata të ndëshkoheshin‘", deklaroi Larsen për britaniken "The Daily Express". "Në karrierën time, nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë diçka e tillë. U trondita. Kam zhvilluar mbi 100 takime për sigurinë përpara ndeshjes dhe është hera e parë që më kanë bërë një kërkesë të këtij lloji. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e Liverpulit, të UEFA-s e disa të tjerë. Iu përgjigja se nëse një futbollist do të ndërhynte jashtë rregullave, atëherë do ta ndëshkoja me karton të verdhë". Gjatë ndeshjes, kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, mori karton të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj portierit Pepe Reina. Mbrojtësi mungon në ndeshjen e kthimit dhe pretendoi se u ndëshkua pas protestave të lojtarëve të Liverpulit. Por, Larsen tha se Terri e meritoi kartonin: "Kur një lojtar është në dyluftim brenda zonës me portierin, ai duhet të tregohet më i kujdesshëm, në të kundërt ndëshkohet".