Laçi mban kreun, Skënderbeu e Kastrioti vazhdojnë ndjekjen
Laçi kalon me sukses ndeshjen e vështirë në fushën e Bilisht Sport dhe mbetet në krye të klasifikimit të Kategorisë I. Skuadra e drejtuar nga trajneri Edi Martini fiton me rezultatin 2-1 dhe ngjitet në kuotën e 53 pikëve pas 25 ndeshjeve të zhvilluara. Nuk gabojnë as Skënderbeu dhe Kastrioti, dy ndjekëset më të afërta të kurbinasve. Korçarët e Indrit Fortuzit fitojnë 4-1 në shtëpi me Sopotin, ndërsa krutanët përgjigjen me triumfin minimal 1-0 përballë Burrelit të vendit të katërt. Humbja e këtyre të fundit ka rindezur shpresat e Gramozit dhe Dajtit për vendin e katërt, që përkthehet ndryshe "bileta" e fundit (nga dy të tilla) për ndeshjet "play-out" me ekipet e Superiores. Kolonjarët fitojnë 2-0 me Naftëtarin, ndërsa Dajti kaloi 4-0 Adën. Në takimet e tjera, Pogradeci fiton 2-1 me Turbinën, ndërsa Skrapari 1-0 me Luftëtarin. Besëlidhja ishte pushim, sepse kalendari duhej ta vendoste përballë Tërbunit, që është përjashtuar nga kampionati.