E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli fton Napolitanon në Tiranë



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, fton në Tiranë për një vizitë zyrtare Presidentin e Italisë, Xhorxho Napolitano, ftesë e cila mësohet të jetë pritur me interes. Znj. Topalli ishte në Itali për të marrë pjesë si e ftuar speciale e Kolegjit Evropian të Parmës, në ceremoninë e përurimit të vitit të ri akademik. Gjatë qëndrimit në Parmë, Topalli pati një takim të veçantë, pa praninë e medias me Presidentin e Italisë, Xhorxho Napolitano. Topalli i shprehu Presidentit Napolitano mirënjohje për mbështetjen që Shqipëria ka pasur nga Italia dhe ftoi Presidentin Napolitano për t’iu adresuar Kuvendit të Shqipërisë, ftesë e cila u prit me shumë interes. Në këtë takim kryeparlamentarja Topalli i shprehu Presidentit Napolitano mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka pasur në proceset demokratike dhe integruese nga Italia fqinje. Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi i Shqipërisë, biseda mes dy personaliteteve u përqendrua në zhvillimet ekonomike në Shqipëri, në klimën e biznesit dhe investimet në Shqipëri. Gjatë qëndrimit të saj në Itali, znj. Topalli mori pjesë, si e ftuar speciale, edhe në Kolegjin Evropian të Parmës, në ceremoninë e përurimit të vitit të ri akademik. Ky kolegj është ndër më prestigjiozët në Evropë në fushën e përgatitjes së eurokratëve. Pas takimit me Presidentin italian, kryetarja e Kuvendit Topalli takoi ish-Presidentin e Komisionit Evropian, Zhak Delor i cili i bëri asaj të ditur se është pro zgjerimit të BE-së me vendet ballkanike. Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, kryetarja Topalli bisedoi me ish-Presidentin Delor, lidhur me procesin e zgjerimit të Evropës. Siç u shpreh edhe zoti Delor, në këtë takim, në vitet në vijim BE-ja do të numërojë 30 vende nga 27 që ka sot. Kryetarja e Kuvendit e njohu ish-Presidentin e KE-së mbi reformat e fundit në Shqipëri, si dhe për tempin unik të procesit të ratifikimeve, si të Protokollit të NATO-s, ashtu dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE-në.

Z. Delor, mik i vjetër i Kryeministrit Sali Berisha, ka mbështetur fort Shqipërinë në vitet e para të ndryshimeve. Gjatë takimit me znj. Topalli ai foli veçanërisht për Kryeministrin Berisha, duke e cilësuar atë 'mik të tij' dhe duke e vlerësuar 'një lider të transformimeve të mëdha të Shqipërisë'. Për sa i takon zgjerimit në vendet e Ballkanit, ai tha: "Evropa i ka dyert e hapura për vendet ballkanike, për t'i mbështetur ato në gjetjen e zgjidhjeve paqësore dhe të frytshme. Unë jam pro zgjerimit. Pas zhvillimeve të fundit në këtë rajon, Evropa ka marrë përgjegjësi të veçanta për vendet e tij", - tha ish-Presidenti i KE-së. Z. Delor, që ka drejtuar Komisionin Evropian në vitet 1985-1994, është i njohur tashmë si politikan i madh vizionar. Ai mbetet një ndër presidentët më të suksesshëm në dekada gjatë periudhës së tij presidenciale në KE. Ai hodhi bazat ligjore, punoi mbi konventat dhe marrëveshjet e mëdha mbi të cilat funksionon sot BE-ja. Mastrihti dhe tregu unik janë ndër sukseset e tij. Reforma 'Delor' e bën këtë politikan të konsiderohet një ndër baballarët e Evropës së sotme. Kryetarja Topalli dhe ish-Presidenti i KE-së, Delor, ishin të ftuar specialë në ceremoninë e hapjes së vitit akademik të Kolegjit Evropian të Parmës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›