E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infrastruktura rrit çmimin e tokës në zonën e Gjirit të Lalzit



Pas ndërtimit të rrugëve që lidhin Tiranën, Durrësin e rrethinat me zonën e virgjër bregdetare, ka pësuar një rritje të menjëhershme tregu i shitblerjes së tokave bujqësore. Agjencitë imobiliare në kryeqytet konfirmojnë se një metër katror këto ditë ka një vlerë që varion nga 2 deri 3 herë më tepër se një vit më parë. Dy janë komunat që janë vënë në interesin e biznesmenëve që kërkojnë të blejnë toka bujqësore që gjenden fare pranë bregut të detit, Ishmi dhe Katundi i Ri. Që të dyja këto komuna janë të lidhura me dy metropolet, Tiranën dhe Durrësin, me rrugë cilësore automobilistike. Kjo është dhe arsyeja e rritjes së çmimit në zonën bregdetare. Biznesmenë nga Tirana dhe Durrësi kanë nisur pazaret me banorët e këtyre zonave për blerjen e tokave bujqësore, me synim transformimin e tyre në troje për ndërtimin e objekteve turistike. Tashmë, një metër katror tokë në fshatrat buzë rrugës të orientuara nga bregu i detit nëpër fshatrat e komunës së Ishmit, kushton nga 60 euro deri 100 euro metri katror dhe tendenca është në rritje. Janë sipërfaqe të lakmuara që ndodhen 2-5 km larg bregdetit. Dy vjet më parë, këto sipërfaqe bliheshin me 20 euro metri katror për shkak të mungesës së infrastrukturës. Pasi nisi të ndërtohej rruga Maminas-Gjiri i Lalzit, banorët i ndërprenë shitjet e tokave. Ndërkohë, në Katund të Ri vlera e tokës është disi më e vogël në krahasim me atë të Ishmit, pasi cilësia e bregdetit është në parametra më të ulët si pasojë e bregdetit ligatinor.

Ministria e Ekonomisë përgatit garën për 70 hidrocentrale të reja

Dhënia me koncesion e hidrocentraleve do të vazhdojë, duke synuar kështu krijimin e sa më shumë burimeve prodhuese të energjisë elektrike në vend. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, mbi 70 hidrocentrale të kapaciteteve të ndryshme janë planifikuar që të jepen me koncesion, çka do të bëjë të mundur zgjidhjen përfundimtare të problemeve të energjetikës në vendin tonë. Burimet e mësipërme njoftojnë se është përgatitur i gjithë dokumentacioni i nevojshëm tekniko-ligjor për dhënien e këtyre hidrocentraleve me koncesion dhe janë lidhur kontratat për ndërtimin e tyre ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërive të interesuara në formën BOT për marrjen me koncesion të hidrocentraleve. Ndërtimi i këtyre veprave pritet të shtojë në mënyrë të kënaqshme nivelin e prodhimit të energjisë elektrike në vend, ndërkohë që ata do të kenë një shtrirje gjeografike pothuajse në të gjithë vendin. Shoqëritë vendase apo të huaja që do të marrin me koncesion ndërtimin e hidrocentraleve kanë plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme të formularit “Për hidrocentralet”, duke paraqitur projektet, studimet hidrologjike, studimet gjeologjike etj.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›