KQZ-ja demonstron numërimin e votave nëpërmjet sistemit elektronik
TIRANË - Tri ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit Drejtoria Teknike e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka demonstruar para anëtarëve mënyrën e funksionimit të sistemit të transmetimit elektronik të të dhënave nga vendet e numërimit të votave në selinë e KQZ-së. Me këtë sistem, i cili aplikohet për herë të parë në vend, synohet transparenca, efektshmëria, rezultati on-line dhe siguria. Videot e transmetuara do të pasqyrojnë atë çka ndodh në kohë reale në procesin e numërimit. Këto transmetime dhe rezultatet do të shfaqen në kohë reale në monitorët e vendosur në ambientet e KQZ-së dhe do t’u ofrohen mediave. Kamerat e tavolinës do të bëjnë të mundur shikimin e procesit të vlerësimit të fletëve të votimit në secilën tavolinë duke transmetuar për vëzhguesit e pranishëm në 16 monitorë 32-polsh, i mjaftueshëm për pamje të qartë të fletës së votimit. Procesi i numërimit do të jetë në regjistrim të plotë. Kamerat e tavolinës do të transmetojnë në monitorë procesin e vlerësimit të fletëve të votimit dhe mundësojnë regjistrimin e këtij procesi. Kamera e dhomës 360 gradë do të mundësojë regjistrimin e ambientit të vendit të numërimit gjatë të gjithë kohës së zhvillimit të procesit. Këto regjistrime do të jenë të mundshme për vëzhgim kurdo qoftë pas përfundimit të procesit. Fleta e votimit do të vendoset në një vend të caktuar të tavolinës së numërimit dhe sipër këtij vendi do të jetë e instaluar një kamera, e cila do ta transmetojë fletën e votimit në monitorin që ndodhet në vendin e numërimit. Për herë të parë KQZ-ja po implementon monitorimin me kamera të procesit të numërimit të votave në 66 vendet e numërimit të votave. Për herë të parë ky institucion po siguron pamje direkt në KQZ nga të 66 vendet e numërimit dhe do të shfaqen në kohë reale informacione për rezultatet e votimit kuti pas kutie që do të numërohet. “Procesi është vërtet risi dhe i vështirë, por po marrim të gjitha masat për ta realizuar. Përdorimi i kësaj teknologjie do të rrisë në maksimum transparencën e numërimit të votave, do të sigurojë marrjen në kohë të informacionit dhe do të mbajë nën kontroll nga KQZ-ja të gjithë procesin”, - është shprehur në lidhje me këtë teknologji kreu i KQZ-së, Ristani.
26 Qershor 2009