E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimet, ende pa u tërhequr edhe 170 mijë karta



Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga zgjedhjet, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinant Poni, u ka bërë sërish apel qytetarëve të tërheqin sa më parë kartat e identitetit. Megjithëse sipas Ponit kartat po tërhiqen me intensitet, kanë mbetur pa u marrë ende rreth 170 mijë letërnjoftime. “Qytetarët duhet t’i tërheqin kartat për të mos i lënë për ditën e fundit”, - u shpreh Poni. Zëvendësministri ka këmbëngulur në apelin e tij që qytetarët të mos e lënë pajisjen me karta për në çastin e fundit. Mungesa e një pasaporte apo e një karte identiteti do të detyrojë rreth 8 për qind të zgjedhësve shqiptarë që të privohen nga e drejta e tyre për të votuar. Asnjë prej 256 mijë e 794 personave në fjalë nuk do të mund t’i drejtohet kutisë së votimit në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pasi në Kodin e ri Zgjedhor thuhet se për të marrë pjesë në procesin zgjedhor zgjedhësi duhet të ketë si mjet identifikimi pasaportë ose kartë identiteti. Shifra zyrtare e personave që nuk do të mund të votojnë është publikuar tri ditë më parë nga Ministria e Brendshme. Kjo e fundit e ka dërguar listën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe partive politike. Ministria e Brendshme ka bërë gjithashtu të ditur se kanë aplikuar për letërnjoftimet 1 milion e 446 000 persona. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, gjatë një konference për shtyp, tha se ka përfunduar procesi i përpunimit të të gjitha të dhënave për qytetarët që aplikuan për letërnjoftime elektronike. Konja tha se në përfundim të këtij procesi, Ministria e Brendshme i ka dërguar KQZ-së dhe partive politike të interesuara listën emërore të zgjedhësve që kanë aplikuar për letërnjoftim elektronik, listën emërore të zgjedhësve që kanë tërhequr letërnjoftimin si dhe listën e emërore të atyre zgjedhësve pa pasaportë, të cilët nuk u paraqitën brenda afatit të përcaktuar për të aplikuar.

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›