E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infrastruktura zgjedhore, replika Nishani-Braçe

Opozita dhe mazhoranca replikuan dje me njëra-tjetrën në sallën e Kuvendit, sa i takon procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erjon Braçe, deklaroi se ky proces po shkon drejt dështimit dhe problemet që po çojnë në këtë konkluzion janë të qëllimshme. Në vlerësimin e Braçes, problemet lidhen në radhë të parë me qeverinë, sepse Ministria e Brendshme ka deklaruar një numër më të vogël të personave që nuk kanë pasaporta, nga sa është realisht shifra. Braçe u shpreh se është dhënë numri prej 730 mijë personash për të gjithë territorin e vendit, por ky numër nuk ekziston, është shumë më i madh sesa kaq. Duke sjellë dy raste konkrete, Braçe konstatoi se "në Berat, Ministria e Brendshme ka sjellë 22272 emra si persona pa pasaportë për udhëtim jashtë shteti, pushteti vendor në 11 njësi, ka gjetur 13265 emra ose 60 për qind të listës që ka sjellë Ministria e Brendshme, të cilët mungojnë në këtë listë". Në total, shtoi Braçe, Ministra e Brendshme së bashku me pushtetin vendor kanë evidentuar tashmë si persona pa pasaportë 35537 persona. "Në Kuçovë, Ministria e Brendshme ka sjellë 6560 persona pa pasaportë, pushteti vendor në vetëm tri njësi vendore ka gjetur 3220 persona, ose mbi 50 për qind të listës që ka sjellë ministria, që nuk gjenden në listë dhe në total ministria dhe pushteti vendor kanë evidentuar 9780 persona. Këto shifra, ngulmoi Braçe, nuk flasim për gabim njerëzor, por për veprim të qëllimshëm, i cili klasifikohet si krim minimalisht për shpërdorim detyre nga personat që janë ngarkuar për të bërë evidentimin e personave pa pasaportë. Problemi i dytë, insistoi Braçe, është vetë kompania. "Ka mungesë në kapacitetet e kompanisë që është kontraktuar për këtë proces", u shpreh Braçe. Reagimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, ishte i menjëhershëm, i cili theksoi se procesi i kartave po ecën në mënyrë normale. "Janë vendosur të gjitha kapacitetet për aplikimet për letërnjoftime. Deri tani kanë dorëzuar aplikimin e tyre 200000 shtetas shqiptarë dhe janë shpërndarë mbi 20000 letërnjoftime", nënvizoi ministri Nishani. Sakaq, ai theksoi se gati 40 për qind e qytetarëve që kanë aplikuar deri më 7 mars janë persona që nuk disponojnë pasaporta. Lidhur me mungesën e personave në listat që Ministria e Brendshme ka publikuar, Nishani konstatoi se lista është zyrtare dhe transparente. "Ministria që unë drejtoj ia ka dërguar çdo komune dhe në këto lista nuk ka asnjë mungesë", tha Nishani. Sipas tij, çdo qytetar ka mundësinë të shohë nëse është në lista apo jo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›