Konsulli çek: Kartat nuk e garantojnë heqjen e vizave
Pasi vizituan qendrën e prodhimit të kartave të identitetit, konsujt e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë e vlerësuan procesin, por u shprehën se është ende herët të shpresojmë se kjo do të zgjidhë çështjen e vizave. "Ky është një hap i rëndësishëm për Shqipërinë, por ju lutem, duhet të keni parasysh se kjo nuk do të thotë që çdo njeri që sjell këtë dokument apo pasaportën mund të marrë një vizë", deklaroi konsulli çek në Tiranë, Adam Pinos. Sakaq, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, tha se kartat e reja janë një dokument shumë i sigurt dhe një garanci e madhe për lehtësimin e vizave. "Përshtypja për një sistem solid e të integruar, për standarde të sigurisë së dokumenteve dhe standardeve të larta të prodhimit, do të reflektohet në kancelaritë e shteteve të Bashkimit Evropian dhe besoj se do të ketë efekt edhe në çështjen e vizave", pohoi Poni. Ndërkohë, konsulli çek tha se çështjen e sigurisë së dokumentit duhet ta analizojnë vetëm ekspertët. "Ne jemi diplomatë dhe nuk mund të flasim për këtë", theksoi ai.