E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, qytetarëve: Aplikoni për kartat e identitetit

Kreu i shtetit, Bamir Topi, së bashku me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, aplikuan dje pranë minibashkisë nr.9 në Tiranë për kartën e re të identitetit. Këtë moment, Presidenti e shfrytëzoi për t‘u bërë apel të gjithë shqiptarëve që të drejtohen pranë zyrave të njësive të tyre vendore për të marrë në dorë këtë dokument. "Letërnjoftimi është mjaft i rëndësishëm për integrimin e tyre, pasi kjo i bën të jenë qytetarë të denjë të ardhshëm të Evropës së Bashkuar", u shpreh Topi. Ai theksoi se "pajisja me kartën e identitetit është momenti më i rëndësishëm për një qytetar dhe besoj që nuk duhet të lidhet domosdoshmërisht vetëm me aksesin për të votuar". Të jesh i identifikuar, nënvizoi Topi, të kesh kartën e identitetit, sigurisht një kartë me parametrat më të larta teknologjike, një kartë, e cila pranohet nga standardet e vendeve të Bashkimit Evropian, do të thotë që të kesh mundësi të mëdha për të ushtruar të gjitha të drejtat në administratën publike, nëpër ambasada, nëpër universitete, kështu që njerëzit duhet patjetër të aplikojnë. Qytetarët, tha Presidenti i Republikës, duhet ta vlerësojnë këtë në radhë të parë në interesin e tyre, pastaj në mundësinë që ata kanë një herë në katër vjet, në zgjedhjet e përgjithshme politike për të shprehur vullnetin politik. Duke u pajisur me karta, vijoi Topi, ne do të japim një mesazh pozitiv për ndërkombëtarët, duke iu treguar që ne jemi të gjithë të regjistruar dhe më në fund mund të japim një shifër reale të regjistrimit të popullsisë. Shtetasit nuk duhet të shkojnë për t‘u pajisur me karta mbi bazën e detyrimit, u shpreh Presidenti Topi, por duhet ta bëjnë këtë si një nevojë e domosdoshme dhe e vullnetshme e vetë qytetarit. "Nuk ka gjë më të rëndësishme që çdo qytetar ta ndiejë veten serioz dhe të identifikuar. Kjo duhet të jetë në të gjitha shtresat e popullsisë", theksoi Topi. Sakaq, ai kërkoi që edhe institucionet të bëjnë patjetër një propagandë në këtë sens. Ndërsa partitë politike, në vlerësimin e Topit, nuk duhet ta shohin pajisjen me karta identiteti të qytetarëve vetëm në funksion të ditës së votimeve. "Ajo është një ditë shumë e rëndësishme, por qytetarët duhet të sensibilizohen nga të gjitha partitë politike që të jenë të identifikuar, sepse është një proces që do t‘i shërbejë institucioneve të Shqipërisë dhe imazhit të saj kudo në botë", insistoi Topi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›