Arvizu: “Imuniteti është privilegj i tepruar - konsensus në parlament”
Kufizimi i imunitetit, Berisha: Të jemi transparentë me qytetarët dhe të respektojmë parimin “barazia para ligjit”
Kreu i mazhoranës Sali Berisha dhe ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu, shprehen njëzëri se lufta ndaj korrupsionit duhet të fillojë nga kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë. Për këtë, Berisha dhe Arvizu i bënë thirrje opozitës të japë kontributin në parlamentar për ligjin e kufizimit të imunitetit
Kryeministri Sali Berisha ftoi dje opozitën të bashkëpunojë me mazhorancën në miratimin e reformave të rëndësishme për vendin. Apeli i kryeministrit drejtuar pakicës, shkon kryesisht për ligjin e kufizimit të imunitetit, i cili prej më shumë se 2 vitesh zvarritet në deklarata politike, në pritje të konsensusit të Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e përmbylljes së programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, kryeministri Berisha theksoi se opozita duhet të heqë dorë nga kushtet dhe të bashkëpunojë për heqjen e Imunitetit të Zyrtarëve të Lartë.
“Ftoj opozitën të lëmë mënjanë kushtëzimet dhe të punojmë dhe të punojmë për ato pika që bashkohemi. Normale është që ka kundërshtime mes opozitës dhe mazhorancës por mua më erdhi mirë që në një seminar krahas opsionit për të hequr imunitetin me ligj organik të propozuar nga Komisioni i Venecias u mbështet edhe opsioni për ndryshimin e kushtetutës”, u shpreh Berisha.
“Të heqim dorë nga kushtet për të hequr imunitetin tonë. Të heqim imunitetin sa më shpejt në dëshmi të përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve dhe ndaj parimi barazia para ligjit”, theksoi kryeministri.
Lidhur me këtë çështje Berisha i ofron opozitës dy variante.
Referuar draftit të propozuar nga ekspertët europian, kreu i qeverisë thotë se është i gatshëm të bëjë së bashku me opozitën ligjin organik për heqjen e imunitetit ose të pranojë edhe ndryshimin e Kushtetutës vetëm për këtë çështje.
“Në një seminar krahas opsionit për të hequr imunitetin me ligj organik të sugjeruar nga komisioni i Venecias, u mbështet nga ekspertë ndërkombëtar dhe opsioni për ndryshim të Kushtetutës. Unë garantoj opozitën se jam i gatshëm për secilin nga këto dy variantet”, tha kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha shtoi se koordinimi me opozitën mund të japë frytet e para të një bashkëpunimi me një interes shumë të madhe për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Duke iu referuar fondeve të dhëna nga SHBA nëpërmjet programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, kryeministri Berisha theksoi se falë këtyre fondeve Shqipëria renditet ndër vendet kryesore për procedurat e regjistrimit të biznesit.
“Këto projekte ndryshuan në mënyrë thelbësore jetën dhe zhvillimet ekonomike në këtë vend. Ideja kryesore e Sfidës së Mijëvjeçarit ishte lufta kundër korrupsionit. Ne ramë dakord që ky fond të adresohej në fushat ku korrupsioni kishte problemet më të mëdha. Sot jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që bënë të mundur këto projekte”, theksoi Berisha, ndërsa ka shtuar se janë kursyer miliona dollarë që shkonin në mënyrë abuzive në xhepat e zyrtarëve. “Shqipëria vjen në këtë stad, e 9-ta në botë për procedurën e regjistrimit të biznesit, nga disa muaj, sot e regjistron në brenda gjysmë orë me një euro. Shqipëria me projektit tjetër të prokurimit publik, nga një vend që 70 për qind të prokurimeve që i kishte direkte pa asnjë procedurë, u shndërrua në një vend me prokurime 100 për qind elektronike”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu
Kryediplomati amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, bëri thirrje për luftë ka kompromis kundër korrupsionit. Në përfundim të projektit amerikan “Sfida e Mijëvjeçarit”, Arvizu tha se fenomeni i korrupsionit mbetet një problem që ka nevojë për më shumë reforma. Sipas tij, eliminimi i këtij fenomeni do kohën e duhur dhe përkushtim të plotë në ligje dhe reforma. “Ne kemi folur shumë për korrupsionin dhe gjithashtu u përmend edhe në progres - raportin e BE-së të publikuar javën e shkuar. Duke iu referuar këtij raporti them që partitë ta shohin këtë në mënyrë se si të shkojë përpara agjenda e integrimit”, u shpreh Arvizu. Sipas tij, një goditje ndaj korrupsionit mund të jetë heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë. “Nuk duhet lejuar. Asnjë zyrtar i lartë s’duhet të përfitojë nga privilegjet që i jep imuniteti. Askush të mos përfitojë nga imuniteti për të dalë mbi ligjin”, tha Arvizu.
Edhe më herët ambasadori amerikanë e ka cilësuar korrupsionin si plagë të rëndë për vendin, ndërsa i ka apeluar klasës politike të miratojë ligjin për kufizimin e imunitetit. Sipas Arvizu, hapi i parë në kuadër të reformave, për luftimin e këtij fenomeni, duhet të fillojë nga heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë.