E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama po përgatit letrën e hapur për Enver Hoxhën – “bllokova integrimin, jemi në rrugën tuaj”

22-10-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha ironizon me letrat e hapura të kreut të PS-së

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Elbasani, ku mori pjesë në inaugurimin e rrugës Qafë Rrenas – Labinot Mal, se lidershipi socialist Edi Rama, po ndjek politika bllokuese ndaj zhvillimit të vendit.
Sipas Berishës, Rama ka qenë gjithnjë kundër zhvillimit të vendit, duke e sintetizuar këtë si pjesë të strategjisë hoxhiste, për të penguar me çdo kusht hapjen, zhvillimin dhe modernizimin e vendit, përmes ekonomisë së tregut.
“Paraardhësit tanë kanë zhvilluar doktrinën e zonave ku nuk ia vlen të investohet asgjë. Edhe sot ngrihen kundër ndërtimit të rrugëve, ngrihen kundër veprave publike. Por sot jemi me fat, jemi një vend i lirë, jemi anëtar të NATO-s, jemi një vend demokratik. Ne do t’ju dëgjojmë ju dhe vetëm ju. Interesat dhe kërkesat tuaja janë e do të mbeten axhendë e kësaj qeverie. Sot askush nuk mund të kërcënojë dhe të luajë me fatin tuaj, me liritë tuaja, me të drejtat tuaja, me pronat tuaja, me të ardhmen tuaj”, u shpreh Berisha.
Ai ironizoi letrat e hapura dhe editorialet e kryesocialistit Rama, ndërsa shtoi se ai po përgatit një letër të hapur edhe për Enver Hoxhën se arriti të bllokojë integrimin e Shqipërisë në BE.
“Le t’i themi shokut, i cili është ngritur tani e po shkruan vepra - së shpejti do të botojë letrën e hapur për Enver Hoxhën ku i thotë se Shqipërinë e bllokova për t’u anëtarësuar në Evropë”, tha kryeministri.
Ai shtoi se pavarësisht politikës bllokuese të Partisë Socialiste, Shqipëria do vazhdojë rrugën e zhvillimit.
“Ne e kemi zgjedhur rrugën bashkë me ju; rrugën e ndërtimit të një Shqipërie moderne; rrugën e ndërtimit të një infrastrukture të njëjtë me qytetet në çdo fshat dhe komunë të këtij vendi; rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm rural; rrugën në të cilën ju, banorët e komunës Labinot Mal dhe të gjitha fshatrave të vendit, do të merrni brenda një kohe të shkurtër pensionin që marrin në qytet; rrugën në të cilën çdo fëmijë  i juaji, çdo djalë e vajzë e kësaj zone dhe në të gjithë vendin, i ka dyert e hapura për shkollat e mesme, i ka dyert e hapura për shkollat e larta; rrugën në të cilën ne do të realizojmë ëndrrat dhe të ardhmen tonë që meritojmë”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›