E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ingrid Gjoni, nën hetim për fyerjen e policisë

Prokuroria e Tiranës: Marrja në pyetje e Ingrid Gjonit, në cilësinë e personit nën hetim. Rrezikon gjobë-1 vit burg

Show-girl-i akuzohet se ka ofenduar dhe kundërshtuar policinë, pas një incidenti të saj në ish-Bllok

TIRANË- Ingrit Gjoni, vajza e njohur e muzikës dhe spektaklit po hetohet nga prokuroria e kryeqytetit për fyerje dhe ofendim të forcave të policisë gjatë kryerjes së detyrës. Kjo është edhe arsyeja që organi i akuzës së kryeqytetit e ka thirrur dy ditë më parë Ingrid Gjonin, për të dhënë shpjegime në lidhje me një incident të ndodhur kohë më parë. “Shtetasja Ingrid Gjoni, me kërkesë të prokurorit Euklid Gjini është paraqitur dy ditë më parë në Prokurori për të dhënë shpjegime në lidhje me një ngjarje të ndodhur kohë më parë mes saj dhe forcave të rendit, ku këta të fundit kanë bërë edhe denoncimin ndaj Gjonit për fyerje dhe ofendime gjatë kryerjes së detyrës”,-thuhet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së kryeqytetit. Mësohet se Gjoni e shoqëruar nga një person tjetër, dy ditë më parë është paraqitur rreth mesditës pranë organit të akuzës, ku për rreth 75 minuta ka dhënë shpjegime për ngjarjen në zyrën e prokurorit Euklid Gjini, që ndodhet në katin e dytë të këtij institucioni. Sipas këtyre burimeve, mësohet se marrja në pyetje e shtetases Ingrid Gjoni është bërë me cilësinë e personit ndaj të cilës po zhvillohen hetimet për kryerjen e veprës penale të “fyerjes për shkak të detyrës”. Të kontaktuar nga “Shekulli”, drejtuesit e prokurorisë së kryeqytetit nuk preferuan të japin shumë detaje në lidhje me ngjarjen për të cilën po hetojnë, duke konfirmuar vetëm marrjen e saj në pyetje dhe arsyen e thirrjes pranë prokurorisë. “Shtetasja Ingrid Gjoni është marrë në pyetje nga prokurori i çështjes në cilësinë e personit ndaj të cilës po zhvillohen hetimet, në lidhje me dyshimet e kryerjes nga ana e saj të veprës penale të “fyerjes për shkak të detyrës” ndaj efektivëve të policisë, për një ngjarje të hershme. Nuk mund të japim më shumë detaje për shkak se dosja ndodhet në fazën hetimore dhe përbën sekret hetimor”,-thanë burimet zyrtare të organit të akuzës për “Shekullin”. Shkak për fillimin e hetimeve mësohet se është bërë kallëzimi i forcave të policisë, saktësisht efektivët e patrullës së përgjithshme dhe punonjësit e komisariatit nr.2 në kryeqytet. Burimet e rezervuara pranë prokurorisë nënvizuan se hetimi ndaj Gjonit po zhvillohet në lidhje me një zënkë që vajza e njohur e muzikës dhe spektaklit ka pasur me një person në një nga lokalet e ish-zonës së bllokut në kryeqytet, ku pas sherrit mes tyre kanë ndërhyrë forcat e policisë për të kryer veprimet ligjore, por që janë përballur me breshëri fyerjesh dhe ofendimesh nga shtetasja Gjoni. Nga këto burime mësohet se nëse shoë-girl-i Gjoni deklarohet fajtore për kryerjen e kësaj vepre penale nga hetimet dhe procesi gjyqësor, rrezikon të dënohet me gjobë ose një vit burg. Ndërkohë, të kontaktuar nga “Shekulli” tre ditë më parë në lidhje me paraqitjen e Ingrid Gjonit në prokurori, pjesëtarë të ngushtë të familjes së saj mohuan këtë fakt duke u shprehur se: “nuk ka qenë, por edhe nëse ka shkuar, mund të ketë takuar ndonjë mik dhe nuk do të thotë që është thirrur nga prokuroria”.

Akuzat ndaj Ingrid Gjonit

Neni 239

Fyerja për shkak të detyrës

(Ndryshuar me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001, neni 56)

Fyerja e qëllimshme që i bëhet punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik, për shkak të veprimtarisë së tij shtetërore ose të shërbimit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.

Po kjo vepër, kur kryhet botërisht ose në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›