Pranga ish-truprojës së Azem Hajdarit
37-vjeçari do të paditet nga policia edhe për shpifje, pas akuzave të ngritura se po manipulohen faktet
SHKODËR – Inskenoi atentatin ndaj vetes. Kjo ka qenë arsyeja e vënies në pranga të Marjan Grykës, ish-truprojës së Azem Hajdarit nga ana e policisë së Shkodrës. Pas akuzave të 37-vjeçarit se kërkonin që ta vrisnin dhe pas hetimeve të kryera nga organet përkatëse, gjykata e shkallës së parë vendosi që të pranonte kërkesën për urdhër-arrestin e Grykës, ndërsa uniformat blu, të drejtuara nga shefi i policisë, kanë realizuar urdhrin.
Arrestimi
Rreth orës 13:30 të së enjtes, forcat e policisë hynë befasisht në banesën e shtetasit Marjan Gryka në lagjen «Ndoc Mazi» në qytetin e Shkodrës dhe i komunikuan atij arrestimin. Mësohet se nga 37-vjeçari nuk është hasur rezistencë por është kërkuar të komunikohet me avokatin, veprim i cili nuk i është lejuar nga blutë. Ndërkaq Gryka ka dalë vetë nga banesa e tij deri në furgonin e policisë duke ecur me paterica, gjendje e cila nuk i ka lejuar policët që t’i vënë atij pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se Gryka u dërgua në paraburgimin e Lezhës.
Akuzat
Sipas policisë, arrestimi i Marin (Marjan) Grykës u bë pas miratimit të urdhër-arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, pas kërkesës së bërë nga prokuroria, e cila e akuzon ish-truprojën e Azem Hajdarit për « kallëzim të rremë » dhe « armëmbajtje pa leje ». Në dosjen e hapur për Grykën është regjistruar kallëzimi penal i tij për plagosjen e ndodhur në aksin rrugor Shirokë-Zogaj më 27 shtator. Pas nisjes së hetimeve dhe mbledhjes së fakteve: aktit të ekspertimit balistik, kimik e mjeko-ligjor, si dhe thëniet e vetë Grykës (deklarata të cilat prokuroria i ka cilësuar si kontradiktore), organi i akuzës ka arritur në përfundimin se«atentati» i denoncuar nga Gryka ka qenë i inskenuar prej atij vetë dhe se ai nuk është qëlluar prej askujt. Një ditë pas ngjarjes, policia gjeti një armë zjarri të hedhur tek shkurret në anë të rrugës, rreth 10 m larg vendit ku ishte ndaluar mjeti ku u gjet i plagosur Gryka. Arma e gjetur rezultoi se ishte arma me të cilën ishte qëlluar 37-vjeçari.
Padia
Marjan Gryka duket se nuk do të «shpëtojë» thjesht me akuzat e ngritura nga prokuroria e Shkodrës. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se ndaj tij do të ngrihet padi për shpifje ndaj policisë. Për këtë janë marrë për bazë deklaratat e Grykës për punën jo të mirë të policisë. 37-vjeçari mësohet të jetë shprehur se policia nuk i ka njoftuar familjarët e tij kur është shoqëruar automjeti ku është plagosur që të bëhet inventari i gjërave, si dhe e ka akuzuar policinë për manipulim faktesh.
Bashkëshortja
Enkelejda Gryka: Ndihemi të terrorizuar, si unë ashtu edhe pesë fëmijët nga arrestimi i sotëm (dje). Pushtetarët e sotëm duhet të tregohen të drejtë me Marjanin pasi ai ka bërë shumë për ta dhe për demokracinë. Jeta e tij, si dhe e gjithë familjes sonë është e rrezikuar