E Shtunë, 31 Tetor 2026

Injac Zamputi

Si shumë bashkëkohës të tij, punoi pa e marrë për së gjalli vlerësimin. Një konferencë shkencore që do të organizohet në 100-vjetorin e lindjes synon të kthejë edhe një herë vëmendjen nga dimensioni i veprës së Zamputit

Një takim për ta kujtuar
Dy vjet më parë, në një takim modest në Muzeun Historik Kombëtar, disa historianë dhe gjuhëtarë u përpoqën të rroknin dimensionin e Injac Zamputit në 10-vjetorin e vdekjes. Dy vjet më vonë, një tjetër takim përkujtimor do të organizohet për të, këtë radhë me rastin e 100-vjetorit të lindjes. Në datën 12 shkurt, në Akademinë e Shkencave do të mbahet një konferencë shkencore ku pritet të theksohet edhe një herë kontributi i tij në historinë mesjetare, në fillesat e gjuhës, në krijimtarinë letrare dhe në studimet kritike. Luan Malltezi, Pëllumb Xhufi, Ferid Duka, Behar Gjoka, Musa Vyshka dhe Seit Mancaku do të jenë disa nga të ftuarit për të referuar. Bashkëkohës i Ernest Koliqit, Migjenit, Vinçens Prendushit, nxënës, shok e mik i At Zef Pllumit, i formuar që në rini me biseda të Gjergj Fishtës dhe Ndre Mjedës, nuk e pati të lehtë rrugën për lëvrimin e veprimtarisë shkencore. I lindur në Shkodër më 12 shkurt të 1910-s, nga një baba me origjinë italiane, ishte nxënës i Kolegjit Saverian të qytetit të lindjes. Pas shkollimit të mëtejshëm në Itali, veprimtarinë e nisi në lëmin kulturor, për të spikatur më vonë si historian. Njohës i italishtes dhe latinishtes mesjetare, mbi bazën e dokumenteve të ndryshme arkivore, zbardhi periudhën mesjetare. Më parë, vajza e tij, Maria, ka treguar për orët e natës së të atit mbi makinën e shkrimit duke zbardhur dokumente shkruar në italisht apo latinisht që i vinin nga Vatikani. “Kryeveprat i ka shkruar në kohët më të vështira. Ishte koha kur luftonte në Tiranë me fletërrufetë dhe kur pjesëtarët e familjes degdiseshin në zonat më të thella”, tregonte Maria. I takojnë studimeve të tij teza për prejardhjen e gjuhës shqipe më herët se Gjon Buzuku në "çështje të fillimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe" si dhe të idesë se Pjetër Budi nuk u mbyt aksidentalisht. Në përvjetorin e tij të vdekjes u fol për botimin e plotë të veprës së Zamputit. Dorëshkrimet e mbetura prej tij gjenden të shpërndara mes Shqipërisë dhe Italisë. Në shtëpinë e vajzës, Maria, bashkëshortja e Musa Vyshkës, ruhen vetëm disa shënime të vogla. Dorëshkrimet që mori me vete drejt Italisë ia ka lënë djalit, Jozefit dhe pjesa tjetër gjendet në shtëpinë në Tiranë. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes, familjarët ndoshta do të hapin edhe një herë arkivat për të nxjerrë ndonjë dorëshkrim që do të ishte me interes t’u ofrohej sot lexuesve. Në përfoljen që u bë dy vjet më parë për botimin e plotë të veprës, u hodh ideja për ndarjen e tyre në vepra publicistike (ka qenë nga publicistët e parë të "Hyllit të Dritës", "Leka" dhe "Këmbanat e së dielës". Ka qenë tregimtar që i takon romantizmit në prag të realizmit, ka shkruar dy drama, "Guri i Rozafës" dhe "Damiani himariot", ndërsa si kritik ka shkruar "Ekskursion në veprat e Kadaresë", duke folur për dimensionet e tij si shkrimtar dhe "Gjergj Fishta, koha, jeta, vepra". Deri më tani nuk është saktësuar asgjë dhe pritet që konferenca shkencore, e para për shënimin e përvjetorit të Zamputit, të sqarojë diçka më tej për ndërmarrjet mbi veprën e tij. Me gjithë punën e madhe në dobi të historisë së Shqipërisë, vuajti shpërfilljen. Zamputit nuk i dhanë asnjë titull shkencor deri më 1995, kur iu dha dekorata “Punonjës i Shquar i Shkencës dhe i Teknikës” për kontribut shumë të shquar në zhvillimin e shkencave albanologjike. Edhe kur ishte në moshë të thyer, mbi 80 vjeç, ai vazhdimisht shkruante, botonte duke lënë kujtime të vyera të jetës së tij, të mbushur me punë të mirëfilltë shkencore por edhe me vështirësi e keqtrajtime, të cilat arriti t’i përballonte. Amaneti i tij i fundit në prag të vdekjes (në Tivoli të Italisë, më 1998) ishte që eshtrat të preheshin në truallin shqiptar. Një amanet i përmbushur.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›