Si u kap Adolf Eichmann

Ekspozita e quajtur “Operacioni Final”, kustos i së cilës është një oficer anonim i Mossad, do të shfaqë gjësende, dokumente dhe emra të paparë deri më tani, të cilat ndihmuan në kapjen e Eichmann në Argjentinë. Po ashtu, ekspozita zbulon edhe shumë detaje të reja, si për shembull atë se si ekspertët e forenzikës e identifikuan Eichmann’in në bazë të formës së veshëve të tij.
Në bazë të akuzave se ishte udhëheqës operativ i Hitlerit për “zgjidhjen përfundimtare”, që ishte një plan për shfarosjen e çifutëve nga Evropa , Eichmann u dënua me vdekje. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë gjashtë milionë çifutë.
Për aksionet e Mossad publiku zakonisht e kupton vetëm kur diçka të shkojë mbrapsht. Mirëpo, kjo ekspozitë flet për një tregim të suksesshëm, duke ofruar pamjet më të kompletuara të operacionit kompleks që ndihmoi në krijimin e imazhit të agjencisë – atë të një makthi të vërtetë për liderët nazistë.
“Kjo ishte hera e parë që Mossad organizoi një operacion të madh jashtë vendit, dhe që iu desh të shpikte të gjitha ‘dredhitë e Jamesd Bond’ gjatë këtij procesi”, pohon kuratori i ekspozitës, që prezantohet vetëm si Avner.
“Ky operacion edhe e krijoi Mossadin”, sqaron ai. “Agjencia ia dëshmoi vetes por edhe gjithë botës se mund të kryejë operacione kudo në botë, nën çfarëdo identitetesh të mundshme dhe me mjete të llojllojshme teknologjike e teknike”.
Edhe pse fillimisht ishte planifikuar që gjësendet e ekspozuara të mbeteshin sekrete, Avenr tregon se rrëfimi për Eichmann është aq i fuqishëm sa që Mossad nuk deshi që atë ta mbante vetëm për vete.
Në mesin e atraksioneve në ekspozitën që mbahet në Muzeun Beit Hatfutsot, në Tel Aviv, është edhe dosja origjinale e Mossad për Eichmann, me emrin e koduar “Dybbuk", që në hebraisht do të thotë “shpirtkeqi”, por edhe çanta me kamerë të instaluar nga e cila Eichmann u fotografua për herë të parë në Buenos Aires, pastaj targat e rreme të bëra për përcjelljen e kriminelit nazist, dorezat e shfrytëzuara gjatë arrestimit të tij, gjilpëra me të cilën u trullos, dhe pasaporta izraelite që u shfrytëzua me rastin e ‘kontrabandimit’ të Eichmann nga Argjentina.
Gjykimi i Eichmann, në vitin 1961, që u mbajt në Jerusalem, shokoi Izraelin dhe botën, para së gjithash falë dëshmive traumatike të mbi 100 çifutëve që e mbijetuan torturën dhe urinë nëpër kampet naziste të përqendrimit. Ata e zbuluan gjithë tmerrin e “zgjidhjes përfundimtare” naziste.
Gjykata në Jerusalem Eichmann’in e dënoi për krime kundër njerëzimit, dhe ai u varr një vit më vonë. Kjo ishte hera e vetme që në Izrael u ekzekutua një dënim me vdekje.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe pas mposhtjes së Gjermanisë naziste, në vitin 1950 Eichmann iku nga një burg amerikan drejt Argjentinës, duke shfrytëzuar emrin e rremë Ricardo Clement.
Atje jetoi deri në vitin 1957, kur djali i tij i madh Nik hyri në lidhje me një vajzë, të quajtur Silvya. Për babanë e saj, Lothar Herman, që ishte një i mbijetuar i Holokaustit, djali i Eichmann ishte shumë i dyshimtë. Ai i dërgoi një letër (e cila po ashtu është pjesë e ekspozitës) Fritz Bauer’it, një çifut ky që gjithashtu i mbijetoi Holokaustit, dhe që asokohe ishte kryeprokuror i shtetit federal gjerman Hessen. Bauer menjëherë i njoftoi izraelitët, të cilët filluan hetimin.
Dy vjet më vonë, agjenti i Mossad, Zvu Aharonu, e lokalizoi shtëpinë familjare në rrugën Garbaldi, në Buenos Aires, dhe në Izrael u kthye me fotografitë e Ricardo Clement, të cilat përputheshin me fotografitë e mëhershme të Adolf Eichmann. Ekspertët izraelitë të forenzikës e lidhën pamjen e veshëve të tij për konfirmimin përfundimtar të identitetit.
Në muzgun e 11 majit 1960, ekipi shtatë-anëtarësh i agjentëve të Mossad ishte në pritje, në stacionin e autobusëve ku Eichmann ndalej përditë gjatë kthimit nga puna në fabrikën e Mercedesit.
Pasi që Eichmann zbriti nga autobus, agjenti Zvi Malkin kërceu mbi të, dhe ia futi dorën në gojë. Kjo për shkak se shpesh ndodhte që liderët e lartë nazistë të fshihnin cianid në dhëmbë, me qëllim që të vetëvriteshin nëse dikush tentonte t’i arrestonte, tregon Avner. Dy agjentë të tjerë e ndihmuan Malkin’in që ta fuste Eichmann’in në veturën e përgatitur për ikje, në të cilën po i priste agjenti i katërt i grupit, Aharoni.
“Nëse vetëm lëviz do të të qëlloj në kokë”, i tha Eichmann’it agjenti Aharoni, shkruan në dosjen e Mossad. E, Eichmann ia ktheu në gjermanisht: “Po e pranoj fatin tim”.
Në ekspozitë prezantohen edhe gjësendet personale që u gjetën te Eichmann gjatë arrestimit; një krahër, një thikë xhepi dhe një kamish plastik.
Eichmann u mbajt nëntë ditë në një shtëpi të sigurt, para se grupi i agjentëve të largohej nga Argjentina me aeroplanin që aty kishte sjellë një delegacion izraelit, për nder të shënimit të 150-vjetorit të pavarësisë së vendit.
Eichmann u mpi, u vesh me uniformë të avio-kompanisë shtetërore izraelite, u fut në aeroplan si anëtar i sëmurë i ekuipazhit, dhe pastaj u vendos në ulësen e klasës së parë. Operacioni ishte aq sekret sa as diplomati Aba Eban, i cili ndërkohë u emërua ministër i Jashtëm i Izraelit, s’kishte asnjë ide se shërbeu si mbulesë për transportimin e Eichmann’it dhe agjentëve të Mossad brenda aeroplanit të tij.
Avner tregon se gjatë hulumtimit të këtij operacioni të famshëm zbuloi edhe disa gjëra të reja. Për shembull, se po qe se fluturimi dhe ‘kontrabandimi’ i Eichmann nuk do të kishte sukses, ekzistonte edhe Plani B, i cili parashihte që Eichmann të futej në një anije që transportonte mish të ngrirë. Madje, ekzistonte edhe Plani C, i cili parashikonte që krimineli nazist të ‘shkarkohej’ në një shtëpi në Evropë, para udhëtimit të tij final për në Izrael.
Për më tepër, Avner gjeti edhe shtetasin izraelit që i kishte punuar syzet për Eichmann’in, pasi që ato i ishin thyer gjatë arrestimit. Syzet ishin bërë nga plastika, për t’ia pamundësuar Eichmann’it shfrytëzimin eventual të xhamave për prerje të venave.
“Sa më shumë detaje që po zbuloj, aq më të qartë po e kam se nuk e posedojë gjithë rrëfimin. Me gjasë kurrë as që do ta dimë saktësisht se çka vërtet ndodhi gjatë arrestimit të Eichmann”, përfundon Avner.