E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Inner Feelings”, Lee Herrman

Shkëputur nga romani “Shakaja” Milan Kundera, i përkthyer në shqip nga Mirela Kumbaro.

Flitet shumë për dashurinë në vështrim të parë, jam i ndërgjegjshëm se është dashuria që e krijon legjendën për veten, për të mistifikuar më pas fillimet e saj; kësisoj nuk do të nxitohesha e të pohoja se këtu ishte fjala për një dashuri të tillë; por kishte një lloj parashikimi: thelbin e Luçisë ose – që të jem sa më i saktë – thelbin e asaj që u bë më vonë Luçia për mua, unë e kisha kuptuar, ndier, e kisha parë në çast e menjëherë: Luçia më kishte sjellë vetveten, siç sillen të vërtetat e zbuluara.

E vështroja, vëzhgoja permanentin e saj fshatarak që ia thërrmonte kokën në një masë pa formë kaçurrelash, i këqyrja pallton e vogël ngjyrë gështenjë, të mjerë, të rrjepur dhe shumë të shkurtër; i vështroja fytyrën me një bukuri të fshehur dhe që e fshehte bukur; ndjeja tek ajo vajzë e re qetësinë, thjeshtësinë e modestinë, ndjeva se kisha nevojë pikërisht për ato ndjenja; atëherë m’u duk se mjaftonte që t’i afrohesha, t’i flisja dhe( pak a shumë ) në çastin kur ajo do të më vështronte në sy, do të buzëqeshte sikur të kishte parë papritmas të vëllanë që kishte vite pa e takuar. Atëherë Luçia ngriti kokën; vështroi orën e qytetit (kjo lëvizje është regjistruar përgjithmonë në kujtesën time; lëvizja e vajzës që nuk mban orë dore dhe që automatikisht, ulet përgjithmonë përballë një ore muri). U ngrit nga stoli dhe mori për nga kinemaja; doja t’i afrohesha; nuk më mungonte guximi, por papritur fjalët më ikën; sigurisht që kraharori ndjente shumë gjëra, por koka mbeti pa një rrokje; e ndoqa vajzën deri te kontrolli prej ku shihej salla e zbrazët. Ia mbërritën disa vetë e u dyndën drejt sportelit; nxitova para tyre dhe mora një biletë për filmin e urryer.

Filmi mbaroi, dritat u ndezën përsëri, ata pak spektatorë që ishin u ngritën. Edhe Luçia u ngrit, mori pallton që e mbante mbi gju dhe veshi njërën mëngë. Unë vura menjëherë kapën nga frika se mos ajo vinte re kokën time të qethur tullë dhe, pa thënë një fjalë, e ndihmova që të zbriste një shkallë. Ajo më hodhi një vështrim të shkurtër dhe nuk tha gjë, shumë, përkuli fare lehtas kokën, por unë nuk e kuptova nëse e bëri për të më falënderuar apo ishte vetëm një lëvizje e pavullnetshme. Pastaj me hapa të vegjël ajo doli nga radhët e karrigeve. Duke veshur shpejt e shpejt edhe unë kapotën ( që me siguri më rrinte shumë keq aq e gjatë sa ishte) ndoqa hapin e saj. S’kishim dalë ende jashtë kur i fola.

Dukej sikur dy orët që kisha kaluar pranë saj, duke menduar për të, më kishin futur në të njëjtat gjatësi vale: papritur dija t’i flisja, sikur ta njihja mirë; nuk e fillova bisedën me ndonjë shaka ose paradoks, siç e kisha zakon; isha krejt i natyrshëm, gjë që më habiti edhe mua, ngaqë në prani të vajzave, deri në atë kohë përdridhesha duke ndërruar maskat.

E pyeta ku banonte, me çfarë merrej, nëse shkonte shpesh në kinema. I thashë se punoja në minierë, ku puna më dërrmonte dhe se dilja shumë rrallë. Ajo tha që punonte në uzinë, se banonte në një konvikt për punëtoret e reja ku duhej të kthehej në orën njëmbëdhjetë, se shkonte shpesh në kinema, pasi mbrëmjet e vallëzimit nuk i pëlqenin. I thashë se mund ta shoqëroja me kënaqësi në kinema kur të kishte ndonjë mbrëmje tjetër të lirë. Ajo tha se ishte mësuar të shkonte vetëm. E pyeta nëse kjo i ndodhte ngaqë ishte e trishtuar në jetë. Ajo pohoi. I thashë se as unë nuk isha i lumtur.

Asgjë nuk i afron njerëzit aq shpejt ( ndonëse shpesh është një afrim i rremë) sa një bashkëbisedim i trishtë e melankolik; kjo atmosferë bashkëfajësie e paqme që vë në gjumë çdo lloj frike apo frenimi dhe që kuptohet si nga shpirtrat e hollë dhe nga vulgarët, përfaqëson mënyrën më të lehtë për t’u afruar, por megjithatë shumë të rrallë: në të vërtetë duhet lënë mënjanë “përpunimi mendor” që i bëjmë vetes, gjestet dhe mimikat e sajuara dhe të sillemi thjesht; nuk e di tani sesi ia dola (menjëherë pa u përgatitur), se si arrita aty dhe kush, unë që jam zvarritur gjithmonë si një i verbër pas fytyrave të mia të rreme; nuk di asgjë, por e ndjeja këtë si një dhunti të papritur, si një çlirim të magjishëm.

Nga tiranacalling

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›