E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Inovacioni, një ëndërr e bërë realitet”

09-10-2011 / Gazeta 55

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli
 
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ishte dje e ftuar e veçantë në promovimin e nismës së një grupi të rinjsh shqiptarë për zhvillimin e teknologjisë, inovacionit në Shqipëri. Projekti që synon nxitjen e mëtejshme të teknologjisë elektronike në edukim, arsim dhe fusha të ndryshme  zhvillimi  në  vendin tonë, është pjesë e networkut ndërkombëtar TED, i krijuar  që në vitin 1984. Kryetarja e Kuvendit duke përgëzuar të rinjtë organizator, tha se e ardhmja është teknologjia, inovacioni, që tashmë në Shqipëri janë realitet. Topalli vlerësoi faktin që të rinjtë shqiptarë janë konkurrues të denjë në teknologjinë e inovacionit, si sfidë kryesore në kohët e globalizmit.
“Në sajë të teknologjisë, ne kemi informacion për të udhëhequr zgjedhjet tona. Fatkeqësitë natyrore, terrorizmi, energjia, konkurrenca globale, ekonomia kanë lidhje me shkencën, teknologjinë, matematikën, inxhinierinë. Inovacioni është një ëndërr që bëhet fakt, një mundësi dhe një vizion që konkretizohet. Apple të bën të ndihesh unik sepse kur përdor teknologjinë e avancuar, ndjen se i takon dhe i përket një komuniteti të privilegjuar. Po të shikojmë zhvillimet globale të viteve të fundit, të dekadave të fundit, GDP globale është rritur 5-6 herë më shumë, në sajë të zhvillimit të teknologjisë. Në sajë të një horizonti tjetër, njerëzore përmes idesë, besimit, forcës, energjisë e ka spostuar më përtej, për shkak të zhvillimit dhe në tërësi të një network dhe teknologjie të jashtëzakonshme që në një farë mënyre ju bënë ju të rinj të brezit tuaj në të gjithë botën, por edhe ne, që të bëhemi pjesëmarrës në një komunitet të inovacionit”, tha ajo.
Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se teknologjia çon përpara zhvillimin, prosperitetin, çon përpara zhvillimin e ekonomisë.
“Unë e kam shumë për zemër shkencën, jo thjesht për faktin që kam studiuar për matematikë. Shpeshherë me koleget e mia diskutojmë që, numri i juristëve është më i madh se i atyre që mbarojnë për matematikë; vërej që numri i atyre që mbarojnë për ekonomi është më i lartë se i atyre që mbarojnë për shkenca politike; numri atyre që mbarojnë për letërsi, shkenca sociale është më i lartë se i atyre që mbarojnë për inxhinieri. Është kjo e ardhmja jonë? Është një pikëpyetje që ja bëjmë vetes si prind si dhe ju të rinj, si shoqëri. Në sfidat e sotme të globalizmit ne duhet të jemi të parët. Dhe është fakti që TED-Tirana ndodhet sot këtu në Shqipëri, aty ku i takon. Një vend që për shkak të shtresave të saj sociale, të një popullsie të re, të një energjie dhe vizioni të jashtëzakonshëm adapton ndër të parët teknologjitë e fundit. Unë jam e sigurt që secili prej jush me iphone, ipad, ipod e ndjen veten unik. Ju mund të merrni në të njëjtën kohë muzikën, informacionin, internetin, videon, lajmin, që doni dhe atë e keni në dorë, s’mund t’jua marrë kurrkush; dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme”, vlerësoi më tej kryetarja e Kuvendit, Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›