E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të ndryshohet formula për përllogaritjen e mandateve”

09-10-2011 / Gazeta 55

Reforma Zgjedhore, flet Kristaq Kume

Ekspertët e çështjeve zgjedhore shohin si domosdoshmëri të trajtimit në debatin e reformës zgjedhore, rregullimin e sistemit. Ish- kreu i KQZ-së Kristaq Kume vë theksin tek një numër i konsiderueshëm votash që në 2009 nuk arritën të përkthehen në mandate deputetesh. Këto vota të cilat arrijnë disa mijëra në rang vendi nuk u llogaritën në rezultatin final për shkak të formulës që sistemi aktual proporcional në formën sesi është, nuk e mundëson përkthimin 100 për qind të votave në mandate. “Kjo situatë bën që, për mendimin tim, në kuadër të reformës zgjedhore, të trajtohet si e tillë jo vetëm pse kjo ka dënuar partitë e vogla, por sepse kjo mënyrë ka bërë që një pjesë e vullneteve të shprehura të shqiptarëve të mos të konvertohen, të mos të pasqyrohen në strukturën politike të parlamentit të vendit”, tha Kume.
Jo vetëm kaq, por pabarazia e votës shkaktohet edhe për shkak të numrit të pabarabartë të votuesve në qarqe të ndryshme, i shton Kume argumenteve - përse duhet riparë sistemi. “Popullata në qarqe të ndryshme të cilat në kuptimin zgjedhor kanë të njëjtën peshë, janë njësi zgjedhore, është e ndryshme. Për pasojë ndodhemi përpara një situate të tillë, situatë e cila për mendimin tim kërkon me domosdo që të trajtohet sepse kemi deputetë të cilët shkojnë në parlamentin e Shqipërisë me diferenca të mëdha votash nga njëri- tjetri gjë që e bën në parim jo të baras vlefshme votën e shqiptarëve në të gjitha qarqet”, tha Kume.
Mënyra më e thjeshtë për tu zgjidhur kjo situatë është ajo e korrektimit kombëtar, thotë ish- kreu i KQZ.
“Të ndodhin përpara variantit, zbatimit të sistemit proporcional rajonal me një listë korrektuese kombëtare gjë që mund të reflektohet, të realizohet, nëpërmjet ndryshimit përkatës në kodin zgjedhor dhe jo në kushtetutë”, tha Kume.
Korrektimi kombëtar është vetëm njëra nga zgjidhjet, te të cilat Kume liston edhe dy të tjera. Ajo e një ndarje të re administrative dhe ulja e numrit të qarqeve duke barazuar madhësinë e tyre.
Zgjidhja e tretë shton ai mund të bëhet përmes ndërhyrjes në kushtetutë në nenin ku qarku parashikohen si njësi zgjedhore dhe në vend të tij të vendoset si njësi zgjedhore një tjetër ndarje administrative. 
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›