E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK dhe Vetëvendosje përplasen në Kuvend

Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 13:16

Deputeti i PDK’së Berat Buzhala dhe deputeti i Vetëvendosjes Glauk Konjufca janë përplasur të enjten në Parlament.

Buzhala, duke u ndërlidhur me protestën e djeshme të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se “kjo ishte një pasarelë hipokrizie”.

Më pas, ai ka dhënë një “biografi” tjetër të aktivistëve të kësaj Lëvizje.

“Fisnik Ismaili, një prej eksponentëve të Vetëvendosjes ka fituar një tender prej PTK’së me një kompani greke dhe kjo nuk i jep atij të drejtën të flas për tenderë”, ka thënë Buzhala.

Ai ka përmendur edhe faktin që vëllai i Shpend Ahmetit është larguar nga Doganat e Kosovës, ndërsa për Alma Lamën ka pasur një pyetje.

“Cila ka qenë veprimtaria e Alma Lamës derisa ka punuar për Behgjet Pacollin”, ka pyetur Buzhala, duke u ndërlidhur me atë se deputetja e Vetëvendosjes, përpara se të vijë në këtë pozitë, ka shërbyer në Stafin e Vegim Gashit, kandidatit të AKR’së për Kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e vitit 2009.

Këto akuza e kanë nervozuar Gluk Konjufcën.

Ai ka thënë se fyerje nuk ishte protesta e djeshme, për fyerja më e madhe për qytetarët është keqpërdorimi dhe vjedhja e parasë së tyre.

“Për çfarë morali flet ky deputet kur shumicën e pasurisë e ka duke bërë punë të pandershme”, ka thënë ai për Buzhalën.

Sipas tij, në Kosovë ka korrupsion prej tenderëve në lapsa dhe deri tek kompanitë e mëdha. Duke e pasur parasysh këtë, Konjufca ka thënë se hetimet për kryetarët e bordeve dhe shefave të ndryshëm të ndërmarrjeve, por çojnë deri te Kryeministri Hashim Thaçi dhe kjo, sipas tij, tregon se në Kosovë ka keqpërdorim kronik.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›