E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re serbe, socialistët zgjodhën demokratët



Negociatave për formimin e koalicionit qeverisës në Serbi duket se u erdhi fundi. Partia Socialiste ka vendosur të zgjedhë përfundimisht si partner qeverie demokratët e presidentit Boris Tadiç. Si më e privilegjuara kjo parti mori dje vendin e kryetarit të Kuvendit. Kryetari i Partisë Socialiste që dikur i takonte Sllobodan Millosheviçit, Ivica Daçiç, u shpreh se partia e tij ka bashkëpunuar me grupin e partive demokratike që në vitin 2004 megjithatë në të ardhmen ajo do të jetë një parti e pavarur nga grupimet e ndryshme. Sipas marrëveshjes së arritur, shef i ekzekutivit serb mendohet se do të jetë një nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të presidentit. Një nga emrat e përmendur si kandidat i mundshëm për këtë post është edhe ai i ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiç. Lajmi për krijimin e qeverisë properëndimore është përshëndetur nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i cili e ka konsideruar këtë marrëveshje mjaft pozitive për rajonin. Duke folur në konferencën për Ballkanin e cila u zhvillua në Bruksel, Thaçi tha se ndarja e Kosovës është ideja më e rrezikshme.

Rusi, jep dorëheqjen kreu i opozitës, Javlinski

Grigori Javlinski që për 15 vjet ka qenë sinonim i opozitës ruse ia dorëzoi postin zëvendësit të tij Sergej Mitrochin. Dorëheqja erdhi si pasojë e kritikave nga baza e partisë liberale Jabloko që ai drejtonte, sipas të cilëve Javlinski po orientohej gjithnjë e më shumë drejt Kreminit. Grigori Javlinksi, krijuesi i partisë Joboloko, ishte figura më e njohur e opozitës në Rusi dhe njihej sidomos në Perëndim, ku prezantohej gjithmonë si kundërshtar elokuent, simpatik dhe i besueshëm. Por kohët e fundit ai akuzohej për kontakte të shumta me Kremlinin. 56-vjeçari deklaroi papritur se nuk do të rikandidojë më për postin e kryetarit të partisë së tij. “Anëtarët e rinj duhet të mbështeten dhe u duhet dhënë një shans i barabartë. Vetëm kështu ata do të munden të zgjedhin një kryetar të ri partie. Kjo është arsyeja përse nuk qëndroj më në dispozicion”, - tha Javlinski. Shkak i trazirave u bënë disa zënka, që u krijuan pas takimeve që zhvilloi Javlinski me Vladimir Putinin, i cili ishte ende president. Në shkurt Putini ftoi papritur Javlinskin në Kremlin.

25 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›