E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorati i Mjedisit kalon në sitë lokalet e natës, rreth 30 gjoba në kryeqytet dhe bregdet

Ashpërsohen masat për zhurmat akustike, Ministria e Mjedisit u vë drynin lokaleve të natës, pas orës 11:00

Ministria e Mjedisit ashpërson masat për eliminimin e zhurmave akustike në zonat urbane dhe sidomos në ato turistike. Në këtë mënyrë kjo Ministri duket sikur u ka vënë drynin bareve e lokaleve të natës pasi zhurmat  akustike të shkaktuara nga muzika

e lartë ose rrëmuja janë disa nga shkaqet që kohët e fundit janë kthyer në një problem të madh për banorët të cilët banojnë në zonat ku lokalet  natës qëndrojnë të hapura deri herët në mëngjes. Për këtë arsye ministri Fatmir Mediu ka dërguar për miratim në këshillin e ministrave një vendim i cili përcakton oraret e funksionimit të subjekteve që prodhojnë zhurma."Për ambientet e hapura, për ditën e premte dhe të shtunë orari për aktivitetet e tyre do të jetë nga ora 19:00 deri në orën 24:00. Ditët e tjera të javës orari i aktivitetit të tyre do të jetë nga ora 19:00 deri në orën 23:00. Gjithmonë duke respektuar nivelin kufi të zhurmave i paraparë në udhëzimin e përbashkët të ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Shëndetit Publik. Për ambientet e mbyllura aktiviteti do të lejohet pa kufizim orari, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës të parashikuar në udhëzim", bën të ditur Alfred Deshati, drejtor i kontrollit për mjedisin. Nga ana tjetër inspektoratet e mjedisit kanë filluar kontrolle intensive në plazhe për të parë se sa është respektuar ligji për administrimin e mbetjeve të ngurta mjedisore. Pavarësisht se situata është më e mirë krahasuar me një vit më parë hedhja e mbeturinave jashtë zonave të caktuara dhe derdhja e ujërave të zeza në det mbeten probleme shqetësuese. Ministria e Mjedisit ka gjobitur disa bashki dhe komuna. Ndëshkimit me gjoba nuk i kanë mundur ti shpëtojnë as dy firma pastrimi si dhe subjekte të tjera private. Gjatë inspektimit të kryer në zonën bregdetare nga Velipoja në Sarandë janë gjobitur rreth 20 subjekte në zonën bregdetare, nga Saranda në Golem për shkarkim të ujërave të zeza në det dhe ndotje akustike në zonën e plazhit. Masa me gjobë janë marrë edhe për Bashkinë Durrës dhe katër komuna pasi gjendja mjedisore në këto zona ishte e rëndë. Gjobat e vendosura nga Ministria e Mjedisit që arrijnë në qindra mijëra lekë do të ekzekutohen nga përmbarimi. Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 1 milion lekë dhe ka pezulluar aktivitetin e  Albpetrol Sh.a. Fier  pasi ka shkarkuar mbetje në ujë. Ndërkohë në 9 bare dhe restorante është ndërhyrë duke prishur tubacionet e ujërave të zeza që shkarkoheshin në det. Mbetjet urbane, apo ujërat e zeza që derdhen në det, por edhe zhurmat e lokaleve të natës e bëjnë të vështirë jetën e një pushuesi në këtë sezon turistik. Ministria e Mjedisit ka vendosur që muzika e lartë në lokalet e hapura të qëndrojë nga ora 19:00 deri në orën 23:00 dhe në fundjavë orari shtyhet me një orë.

Për më tepër lexoni "Gazeta Sot"

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›