Vazhdojnë problemet me ujin e pijshëm, Dollapi ia faturon përgjegjësinë Bashkisë
Mungesa e theksuar e ujit të pijshëm, dhe furnizimi vetëm disa orë të ditës nga Ujësjellësi i Tiranës ka bërë që kohët e fundit kjo çështje të kthehet në mollë sherri midis Bashkisë së kryeqytetit dhe Ujësjellësit. Nga njëra anë ndërprerja e ujit të pijshëm
në shtëpitë e qytetarëve për më shumë se gjysmën e ditës gjë e cila është kthyer në makth për qytetarët, ka sjellë edh reagimin e ashpër të tyre, e nga ana tjetër faji faturohet nga një institucion në tjetrin duke bërë që edhe masat për furnizimin e tubacioneve të ujit të pijshëm të lihet në mëshirë të fatit. Burime nga Ujësjellësi i Tiranës thanë dje për gazetën SOT se faji pse ndërprerjet e ujit janë jashtë çdo norme të lejuar gjatë këtij viti duke u krahasuar me vitet e tjera është vetëm përgjegjësi e Bashkisë së Tiranës e cila ka dhënë leje pa kriter për ndërtesa e pallate këto të fundit në 80 për qind të rasteve janë të ndërtuara mbi tubacionet e ujit të pijshëm. Sipas këtyre burimeve edhe pse Bashkisë së Tiranës i janë bërë disa kërkesa të rishqyrtojë ndërtesat të cilat janë të ndërtuara mbi tubacionet e ujit të pijshëm sërish nga ky institucion nuk është marrë asnjë masë. Nga ana tjetër është vetë institucioni i ujësjellësit i cili ndërpret për qytetarët për më shumë se 10 orë në ditë ujin e pijshëm. Në këtë formë vetë kreu i ujësjellësit Sait Dollapi duket sikur do ti faturojë fajin Bashkisë së Tiranës por në të vërtetë problemi kryesor janë interesat vetë kreut të ujësjellësit i cili çon ujë në lagje të caktuara. Sipas vetë banorëve në lagjet e Unazës së Re, zonës së Brrylit apo edhe në Komunën e Parisit tek Kodra e Diellit uji vjen me orare dhe vetëm për 4 orë në ditë. Sipas këtyre banorëve uji vjen me zona pasi nëse e gjithë lagjja nuk ka ujë në po këtë lagje ka blloqe pallatesh ku banojnë politikanë ose drejtorë të institucioneve të ndryshme politike uji nuk mungon në asnjë orë të ditës. Ky sipas tyre është diskriminim pasi banorët janë njësoj dhe jo të ndarë sipas përkatësisë politike.
Për më tepër lexoni "Gazeta Sot"