Bashkia nis punën për rehabilitimin e shtratit të Lanës

Rama: Do të ndërtohet një vijë 2.1 km, me gurë dhe një vijë park e gjelbëruar me rrugë dhe stola
Kreu i Bashkisë, Edi Rama, ka vizituar gjatë ditës së djeshme ecurinë e projektit të radhës së bashkisë, punimet që po kryhen për sistemimin e shtratit të Lanës nga Ura e shkollës Teknologjike deri në Unazë.
Gjatë kësaj vizite, Rama u shpreh se projekti është i vështirë, por spektakolar dhe ka si qëllim transformimin rrënjësor të Lanës. "Është projekt spektakolar, sepse sjell transformimin rrënjësor të një tjetër segmenti të lumit të Lanës, ku do të ndërtohet një vijë e re mjedisore, e cila do të jetë me gurë dhe një vijë park, e gjelbëruar, me rrugë dhe stola tërësisht në dispozicion të këmbësorëve.
Do të jetë një transformim shumë i rëndësishëm mjedisor, sepse do të heqë më në fund dhe do të largojë nga trupi i kryeqytetit gjithë këtë grumbullim mbetjesh dhe njëkohësisht do të garantojë një cilësi të re mjedisore", theksoi kryebashkiaku.
Sipas projektit të bashkisë, këto punime synojnë krijimin e një aksesi gjatë gjithë gjatësisë së lumit, transformimi i brigjeve të Lanës në hapësira të gjelbra publike dhe semi-publike të hapura për komunitetin përreth. Po kështu synohet një ndërhyrje urbane, e cila do të përmirësojë cilësinë e jetës së komunitetit, si nga pikëpamja ambientale, ashtu edhe nga ajo urbane.
Pas përfundimit të punimeve në këtë zonë shtrati i lumit do të ketë skarpate në të dyja anët e tij, gjerësia e shtratit është 9.25 metra linearë me dy bankina të gjelbëruara nga 1 metër linearë në të dy krahët e tij. Pastrimi i shtratit dhe rehabilitimi i skarpateve do të shoqërohet me mbjelljen e 510 pemëve dekorative të llojeve të ndryshme, të cilat do të jenë pa dyshim elementë kryesorë në aspektin ekologjik që karakterizon ekuilibrat urbanë.
Sipas planit rregullues të bashkisë, kjo pjesë e lumit do të ngjasojë me një park linear natyror, pa praninë e rrugëve për automjete në dy brigjet e tij, sikurse ndodh në segmentin tashmë të ndërtuar të Lanës.