Inspektorati i Mjedisit ndalon punimet në Sheshin Skënderbej javën e ardhshme
Sheshi Skënderbej tashmë duket i rrethuar nga të katër anët. Rrjetat e blerta të vendosura ditët e fundit edhe në shkallët e Teatrit të Operës e gjithkund në sheshin e madh kanë krijuar edhe kaos në trafik e në lëvizjen e përditshme të qytetarëve. Edhe pse Ministria e Mjedisit ka deklaruar kohët e fundit se punimet në sheshin Skënderbej janë shkelje e pastër
ligjore sërish vetë puna ka vazhduar. Madje për këtë shkak specialistët e këtij institucioni kanë deklaruar paraprakisht se Bashkia e Tiranës nuk ka leje Mjedisore e për pasojë është vënë edhe një gjobë. Por dy ditët e fundit Ministria e Mjedisit duket sikur e ka humbur durimin me punimet në shesh e në lidhje me këtë është duke përgatitur edhe urdhrin e ndalimit final. Burime konfidenciale nga Ministria e Mjedisit kane deklaruar dje për gazetën SOT se brenda javës që vjen është duke i finalizuar edhe urdhri i fundit dhe dalja në terren e organeve përkatëse për ndalimin e punës në shesh. Këto burime theksuan gjithashtu se vetë kreu i Bashkisë së Tiranës është duke shkelur në mënyrë brutale urdhrin e deklaruar nga Ministria e Mjedisit për mospajisjen me leje mjedisore por në të njëjtën kohë është duke dhunuar në njëfarë mënyre edhe institucionet kulturore. Në këtë kontekst pritet që prej Inspektorati të Mjedisit të ndalen punimet në shesh.Edhe pse gati një javë më parë Bashkia e Tiranës është sinjalizuar se është gjobitur me 2 milion lekë nga Inspektorati i Mjedisit për mospajisjen me leje mjedisore punimet në sheshin Skënderbej kanë vazhduar rishtazi.
Urdhri
Vetë kreu i Bashkisë Rama duket sikur e ka sfiduar faktin e gjobës duke vijuar më tej punimet madje duke hequr edhe 8 kolona mbajtëse të monumentit. Në këtë kontekst Bashkia e Tiranës nuk e ka marrë parasysh faktin se gjoba e vendosur nga Ministria e Mjedisit si një ndër masat ndëshkimore për punimet në shesh mund të sjellë edhe thellimin e mëtejshëm të konfliktit të heshtur midis dy institucioneve. Në lidhje me punimet e sheshit do të ndiqen të gjitha hapat ligjore për ekzekutimin e urdhrit më të fundit për pajisjen me leje mjedisore të Bashkisë së Tiranës për vazhdimin e punimeve në shesh. Pretendimet e Bashkisë se janë kryer procedurat për të marrë këtë leje janë të padrejta dhe se në Ministrinë e Mjedisit nuk figuron asnjë dokumentacion i cili paraqet kërkesën apo dosjen për aplikimin për leje mjedisore. Në lidhje me këtë specialistë të ndryshëm kanë theksuar faktin se nëse punimet vazhdojnë atëherë nga Inspektorati i Mjedisit do të merren masa edhe më të rënda deri në pezullimin e punës. Por në lidhje me këtë problem edhe këshilltari i çështjeve të Mjedisit Aleksandër Garuli, ka deklaruar se nuk figuron realisht një kërkesë e protokolluar nga bashkia e Tiranës pranë ministrisë së Mjedisit për leje mjedisi në mars të 2009. Sipas Garulit edhe nëse do ishte një kërkesë e tillë e regjistruar pranë ministrisë së Mjedisit. Pra ligji për miratimin në heshtje nuk e përfshin këtë kërkesë të bashkisë së Tiranës.
Sheshi, kantier ndërtimi për përfitimet e Ramës
Midis fajësimeve të ndryshme për projektin e sheshit i cili ka gati dy vjet që fle në sirtarët e bashkisë Rama për të dalë nga situate e në përpjekje për të rregulluar imazhin e keq, ka nisur menjëherë punën në sheshin Skënderbej rreth një muaj më parë. Pas këtij reagimi, ministri Olldashi mbajti një konferencë për mediat, në të cilën tha se Bashkia e Tiranës refuzoi ndihmën e qeverisë në vend që të bashkëpunojë për përmirësimin e infrastrukturës publike në shërbim të qytetarëve. Është kontraktuar një fond, 10 milionë USD ndihmë e qeverisë kuvajtiane që kur Kryeministri i Kuvajtit vizitoi Tiranën, dy vite më parë, fondi i është ofruar Bashkisë dhe Bashkia e ka sorollatur këtë çështje. Në fakt, sheshi është në gjendje të turpshme prej shumë kohësh dhe askush nga bashkia nuk e ka vënë ujin në zjarr për të bërë qoftë edhe një rehabilitim të përkohshëm. Inxhinierët dhe arkitektët që do të përpilojnë projektin dhe do të përpiqen të ndryshojnë imazhin e kryeqytetit të Shqipërisë janë pjesëtarë të kompanisë Architecture -Studio. E krijuar në vitin 1973 në Paris nga 8 arkitektë të asociuar dhe nga qindra arkitektë dhe inxhinierë urbanistë nga kombësi të ndryshme, ajo ka realizuar disa projekte të spikatura në shumë vende. Të tilla mund të përmenden si: Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Strasburg, Instituti Arab në Paris, Shtëpia e Arteve të Bukura dhe Letrave në Athinë, Universiteti i Dukendouf në Francë, Salla e Ekspozitave në Paris, një hotel në Torino, Kullën e zyrave në Zuo Ying në Kinë, Masterplanin e Qendrës Tregtare në Shangai, Kinë, Bulevardin në Makkal të Arabisë Saudite, Masterplanin e fshatit Olimpik në Greqi, etj. Zyrtarisht ministria e Punëve Publike pak kohë më parë ka bërë të ditur se nuk është marrë ende një vendim për këtë çështje dhe dilema është e madhe për shkak të privatizimit të saj. Punimet në sheshin "Skënderbej" kur të fillojnë, do të kryhen sipas një projekti të hartuar nga studioja belge 51 N4E, e cila fitoi konkursin ndërkombëtar e organizuar për këtë qëllim, një vit më parë. Ky projekt e ngre në nivel qendrën e sheshit. Bashkia e Tiranës në lidhje me realizimin e projektit belg filloi shembjen e ndërtesave në afërsi të qendrës së kryeqytetit me qëllim për ti hapur rrugë gjurmës së unazës, në kohën kur punimet në sheshin Skënderbej po vazhdojnë dhe pritet të shkaktojnë bllokimin e qarkullimit.
Arta AGOLLI