E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorët e Alibeajt zbarkojnë për kontrolle në Prokurorinë e Tiranës

 

TIRANE – Ministria e Drejtësisë po ushtron kontroll në Prokurorinë e Tiranës për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë muajve të fundit. Prej disa ditësh, grupet e inspektorëve nga Ministria e Drejtësisë janë paraqitur në organin e akuzës në kryeqytet dhe po ushtrojnë kontrolle në Zyrën e Regjistrit Penal. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të organit të akuzës, sipas të cilave punonjësit e Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes kanë kërkuar të njihen me dosjet e pushuara, të pezulluara apo të përfunduara me qëllim që t’i verifikojnë ato. Sipas ligjit aktual të prokurorisë, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë gëzojnë të drejtën të bëjnë kontrolle për të parë ligjshmërinë e veprimeve të organit të akuzës, lidhur me dosjet penale ose procedimet e përfunduara. Bëhet fjalë vetëm për ato çështje penale për të cilat prokurorët kanë marrë një vendim ndërkohë që ligji ndalon kontrollin nga Ministria e Drejtësisë për dosjet penale që janë në hetim. Në këtë mënyrë, mësohet se grupet e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë prej disa ditësh po verifikojnë dosje penale të veçanta në prokurorinë e kryeqytetit. Inspektorët janë duke analizuar edhe një numër kallëzimesh penale të mosfilluara nga organi i akuzës në kryeqytet, për të cilat akuzat penale janë pushuar për mungesë provash. Mësohet se në përfundim të kontrolleve, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë do të paraqesin konkluzionet e tyre te titullari i institucionit për masat disiplinore ndaj atyre prokurorëve dhe oficerëve që rezultojnë me shkelje apo veprime të paligjshme në punën e tyre dhe në vendimet që kanë marrë për dosjet që kanë trajtuar. Një raport kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë me të paktën gjashtë masa disiplinore për prokurorët është duke përfunduar në Ministrinë e Drejtësisë ndërsa një raport i dytë për të njëjtin qëllim pritet të hartohet pas përfundimit të kontrolleve që po zhvillohen aktualisht në prokurorinë e kryeqytetit. Ky institucion ka ngarkesën më të madhe me numër dosjesh, krahasuar me të gjitha prokuroritë e rretheve të tjera.               tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›