“I penduari” rrëfen Masakrën e Cërrikut
Armand Bajrami
Bujar Buzani, një nga të akuzuarit për “Masakrën e Cërrikut”, zbardhi dje para gjykatës gjithë ngjarjen e marsit 1997 në Cërrik, ku u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës dhe u plagosën disa efektivë të policisë.
I veçuar nga të pandehurit tjerë nga dy punonjës policie në kafazin e hekurt të sallës së gjyqit tek Krimet e Rënda Bujar Buzani, u shpreh: “Do të tregoj të vërtetën, sepse më kanë kërcënuar me jetë, mua dhe familjen time”. Dëshmia e tij, e cila implikon direkt disa prej të pandehurve në vrasjen e gardistëve ka krijuar konfuzion mes të arrestuarve. I pandehuri Roland Xhepexhiu, braktisi sallën duke thënë: “Nuk e dëgjoj më këtë se e kam dëgjuar për vite me radhë”.
Dëshmia e Buzanit
“Prej një hasmërie të krijuar me Mandelën, Arjan Toska, kushëriri im, kishte ardhur tek shtëpia ime në lagjen ‘Kantieri’ në Cërrik. Duke iu druajtur frikës së ndonjë sulmi ne ruheshim me anë të një postblloku të ndërtuar në hyrje të lagjes, ku bënim shërbim gjatë gjithë kohës. Një ditë, nuk e kujtoj datën, erdhën Met Bozi dhe Roland Xhepexhiu që na sollën një antitank. Qitjen e parë, për të na treguar se si funksiononte e bëri një prej tyre. Ndërsa disa ditë më vonë Met Bozi dhe Roland Xhepexhiu kanë ardhur tek postblloku me 4 makina. Aty na thanë se në qendër të Cërrikut kishte ardhur policia dhe se ata po bënin kontrolle banesash, madje se kishin tentuar të përdhunonin një grua. Na thanë që do të vijnë edhe tek lagjja juaj, prandaj hajdeni të mblidhemi e t’i pengojmë. Unë pashë të lëviznin nëpër qytet 2 makina të vogla policie, dy ‘IFA’ me policë dhe me uniforma laramane dhe një blind. Pasi kemi shkuar tek kinemaja e qytetit aty ka ardhur Llazar Bicja, Meti Bozi dhe Roland Xhepexhiu. Kur u ngjitëm në tarracën e kinemasë gjetëm shumë armatime, që na thanë se ishin marrë në Gramsh. Shkëmbimi i zjarrit nuk ka zgjatur shumë. Blindi është qëlluar nga Arjani. Herën e parë nuk e qëlloi dot, ndërsa kur u kthye blindi për të dytën herë, Arjani shënoi mbi të me mitraloz 12.7. Vetëm ai ka gjuajtur drejt blindit. Ka pasur të shtëna edhe nga tarraca përballë. Unë nuk kam qëlluar asnjëherë, pasi mua nuk më linin armë, pasi pak kohë më parë kisha rrezikuar nga pakujdesia. Nga tarraca ku isha unë kam parë dy policë të vrarë. Më vonë kam dëgjuar se janë vrarë 6 vetë. Nga vëllai im Sokoli dhe Arjani, kam mësuar se Met Bozi do të na bënte të gjithëve ne që morëm pjesë në pritë dokumentet për në Amerikë. Arjan Toskën e kam dëgjuar të flasë në qytet dhe në burg për ngjarjen, ai tregonte me zell historinë, ku ka gjuajtur me armë drejt policisë”.
Të akuzuarit
Llazar Bicja
Meti Bozi
Arjan Toska
Roland Sota (Xhepexhiu)
Alban Toska
Skënder Cani
Tomorr Buzani
Bujar Buzani
Entel Gashi
Pamjet filmike rihapën dosjen e masakrës
TIRANE – Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit e arrestuar gjatë aksionit “Autoblinda” mbeti e pa zbuluar për vite me radhë deri në verën e vitit 2007. Në këtë kohë të dyshuarit si autorë të ngjarjes ranë në prangat e Policisë së Shtetit për shkak të rihapjes së hetimeve. Procedimi penal për ngjarjen e ndodhur në qytetin e Cërrikut u rihap që në vitin 2006 dhe gjatë kësaj kohe policia mblodhi informacione e dëshmi për autorët dhe shkaqet e mundshme të ngjarjes. Provat kryesore që ndihmuan në identifikimin e autorëve, ishin disa regjistrime filmike amatore, në të cilat shfaqeshin të akuzuarit për këtë ngjarje gjatë veprimeve që kanë kryer kundër forcave të Gardës dhe Policisë së Shtetit gjatë ndërhyrjes së këtyre të fundit në Cërrik. Atëherë policia ndërmori aksionin me trupa të dërguar nga Tirana për të vendosur kontrollin në qytet, pasi posta e policisë së Cërrikut ishte sulmuar dhe shkatërruar vetëm pak ditë më parë.