Qeveria kushte lehtësuese për dyqanet “Duty Free”
Qeveria ka vendosur që të lehtësojë kushtet për dyqanet “Duty Free”. Në mbledhjen e saj të djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave dhe për dhënien e një autorizimi për këdo që do të hapë një magazinë doganore “Duty Free”. Kështu për të marrë një autorizim subjekti duhet të dorëzojë planin e vendosjes së magazinës, certifikatën tatimore, NIPT, certifikatë inkorporomi, statusi i shoqërisë dhe kontrata e themelimit. Gjithashtu duhet të dorëzojë dokumentet e pronësisë ose të qirasë së magazinës si dhe një garanci prej 5 milionë lekësh. Kërkesa me shkrim dhe dokumentacioni duhet të dorëzohen pranë zyrës doganore që ka kompetencën territoriale të magazinës. Pasi shqyrtohet dokumentacioni, Drejtoria e Doganave ia përcjell këtë informacion Ministrisë së Financave. Ministri i Financave miraton lëshimin ose jo të autorizimit për operatorët që plotësojnë kriteret. Autorizimi është i vlefshëm për 5 vjet me të drejtë rinovimi. Për marrjen e autorizimit për magazinë doganore subjekti duhet të paguajë tarifën e autorizimit prej 20 mijë euro në vit. Në rastin e marrjes së autorizimit për magazinë doganore “Duty Free” në bordin e anijeve dhe të avionëve tarifa e autorizimit është 10 mijë euro.