E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalderon: Kriza ndaloi në portat e Shqipërisë, Berisha: Duam investime

 

Ka nisur dje punimet forumi ekonomik i Krans Montanës. Presidenti i Forumit Ekonomik të Krans Montanës, Zhan Pol Kalderon tha se, “kriza ekonomike botërore ka ndaluar pikërisht në portat e Shqipërisë. Sigurisht që do të ketë pasoja se vendet janë të ndërvarura nga njëri-tjetri, por në kuadrin e zhvillimit dhe standardit të jetesës së Shqipërisë, qeveria shqiptare do të rrisë efikasitetin”. I pranishëm në hapjen e punimeve të forumit ishte edhe kreu i qeverisë, Berisha, i cili theksoi edhe një herë se qeveria do të ndërmarrë hapat e duhur për thithjen e investimeve të huaja. “Në këtë periudhë krize Shqipëria po mundohet të ecë përpara fuqishëm me anë të investimeve. Nga dhjetori i vitit të kaluar dhe në janar të këtij viti janë nënshkruar më shumë se 3.5 miliardë euro kontrata dhe është krijuar një bazë shumë e fortë në fushën energjetike”, tha ai. Sipas tij, qeveria ka nënshkruar kontrata në fushën energjetike, për ndërtime TEC-esh dhe për të ndërtuar terminalin më të madh në Europë, projekt ky mes qeverisë shqiptare dhe një kompanie norvegjeze e austriake. Të gjitha këto së bashku, që përbëjnë më shumë se 50 kontrata, janë tashmë të nënshkruara dhe 20 prej tyre do të fillojnë punë gjatë këtyre javëve dhe muajve. Kryeministri u shpreh se, “ka një interes shumë të madh për të investuar në fushën e energjisë në Shqipëri, veçanërisht edhe për prodhimin e energjisë nga era”. Duke e konsideruar turizmin si potencialin më të madh të këtij vendi, kreu i Qeverisë tha se, “bregdeti ynë ka plazhe me rërë e shkëmbinj të mrekullueshëm, dhe disa kompani serioze po planifikojnë të investojnë shumë miliardë euro në bregdetin Adriatik dhe Jon”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›