E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektorët e OKB-së zbarkuan në Iran

Inspektorët e OKB-së zbarkuan në Iran, për të inspektuar një objekt bërthamor, i cili ka shtuar brengat e Perëndimit se Teherani posedon një program të fshehtë për prodhimin e armëve bërthamore, akuzë kjo e cila mohohet nga republika islamike.

Ata kanë arritur të shtunën në mbrëmje për një inspektim rutinor, deklaroi sot zëdhënësi i Organizatës së Iranit për Energji Bërthamore, Ali shirzadian, duke mos ofruar me këtë rast detaje tjera më të hollësishme.

Ekspertët e OKB-së është paraparë që të inspektojnë objektin e dytë të Iranit për pasurimin e uraniumit, i cili është në ndërtim e sipër në jug të Teheranit.

Irani ka fshehur për tri vjet ekzistencën e këtij objekti, ekzistencën e të cilit e pranoi muajin e kaluar, duke forcuar kështu edhe më shumë dyshimet e Perëndimit.
Teherani u pajtua që të lejojë inspektimin e këtij objekti, pas negociatave që zhvilloi më 1 tetor me gjashtë fuqitë botërore në Gjenevë.

Megjithatë, Irani ka vënë në dyshim propozimin që Teherani të dërgojë pjesën më të madhe të rezervave të veta të uraniumit të pasuruar jashtë, për përpunim të mëtutjeshëm.

Ligjvënësit iranianë kanë kritikuar këtë propozim të OKB-së, e këtë sot e kanë bërë edhe disa diplomatë iranianë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›