Inspektori i merr ryshfet dhe i vjedh paratë shoferit
Nuk i kanë mjaftuar paratë e marra ryshfet, por kur ka parë zarfin e mbushur me para në anë të derës së një kamioni, ai ka vjedhur rreth pesëqind mijë lekë. Megjithatë, shoferi e ka vënë re shumë shpejt këtë vjedhje, kur ai sapo i kishte dhënë 200 lekë ryshfet një inspektori, dhe i ka kërkuar llogari, meqë paratë ishin të pronarit për të cilin punonte. Në debat e sipër, kontrollori i shfrytëzimit të automjeteve i ka deklaruar shoferit se do ia kthente paratë, por në përfundim çështjen e ka zgjidhur policia, duke e vënë në pranga.
Burimet policore bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, pranë Prezës, në rrugën nacionale Vorë-Fushë-Krujë. Rreth orës 13:45, Sami Dega po qarkullonte me mjetin e tij të tonazhit të lartë, me targa BC1001B, që e kishte të mbushur me krom. Gjatë rrugës i kanë dalë në postbllok tre punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve. Një prej tyre, pikërisht Gramoz Guci, 37 vjeç, i ka kërkuar dokumentacionin përkatës të mjetit. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, shoferi nuk ka pranuar t’i japë dokumentet.
Aty ka nisur një debat i vogël mes tyre dhe shoferi ka hapur derën e kamionit, në anë të të cilit, kishte një zarf me para, që sipas tij kanë qenë pikërisht 492 mijë lekë të reja. Kur ka zbritur nga mjeti, për të zbutur situatën, i ka dhënë 200 lekë inspektorit, duke tentuar të largohet. Sapo ka hipur në mjet, ka vënë re se mungonte zarfi, ndërkohë që Guci ka shkuar drejt dy kolegëve të tij. Menjëherë ka zbritur sërish dhe ka kërkuar llogari për mungesën e parave. Gjatë debatit, që është ashpërsuar, Dega, i cili është nevrikosur, ka filluar të kërcënojë punonjësin e shfrytëzimit të automjeteve. Në këto kushte, Gramoz Guci është shprehur se do t’ia jepte paratë që i kishin humbur.
Por, kjo nuk ka mjaftuar për shoferin nga Bajram-Curri, i cili ka njoftuar shërbimet e policisë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit të Vorës dhe të dy palët janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Aty janë marrë në pyetje të dyja palët. Më pas, dosja i ka kaluar për kompetencë Antikorrupsionit, që ka administruar deklaratat e tre punonjësve të Ministrisë së Transporteve, si dhe të drejtuesit të mjetit. Ky i fundit ka shpjeguar edhe një herë për policinë se çfarë kishte ndodhur, ndërkohë që edhe tre punonjësit kanë dhënë variantet e tyre.
Megjithatë, policia ka dërguar grupe kontrolli edhe në vendin e ngjarjes, me qëllim gjetjen e parave të humbura, pasi ende nuk kishte prova për vjedhjen e tyre. Pavarësisht se kontrollet janë ushtruar në gjithë zonën përreth dhe në mjetin e Shërbimit të Kontrollit të Shfrytëzimit të Automjeteve, ato nuk janë gjetur më. Pas konsultimit edhe me prokurorin, oficerët e policisë gjyqësore të Seksionit të Antikorrupsionit kanë vendosur arrestimin e njërit prej punonjësve të Ministrisë së Transporteve. Ndërkaq, për dy kolegët e tij, të cilët janë munduar ta mbrojnë 37-vjeçarin, është vendosur që të procedohen penalisht në gjendje të lirë, ndërkohë që dosja në ngarkim të tyre i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.
Sipas të dhënave, dy personat në fjalë janë Jak Paloka, 54 vjeç dhe Sheremet Qendro, 47 vjeç. Për ta nuk është vërtetuar se kanë lidhje direkt me korrupsionin, por mendohet se kanë mbështetur kolegun e tyre në veprimet abuzive që kryente. Meqë korrupsioni ka qenë në shumën 200 lekë, që është pranuar edhe nga vetë i arrestuari, çështja nuk ka kaluar në njësinë e Antikorrupsionit. Gjithashtu, ai dyshohet edhe për vjedhjen e sasisë tjetër të parave, për të cilat janë zhdukur shpresat se mund të gjenden sërish për t’iu kthyer poseduesit.
#