Vidhnin makina e motorë, kapen katër
Katër persona kanë përfunduar në prangat e policisë pasi akuzohen për 15 vjedhje të ndodhura në këtë qark gjatë ditëve të fundit. Burime të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Beratit bëjnë të ditur se dje pasdite ka përfunduar me sukses operacioni i koduar “Motoçiklisti”, që ka pasur si qëllim zbardhjen e 15 vjedhjeve të ndodhura në qytetet e Urës Vajgurore, Kuçovës dhe Beratit. Nga hetimi i ekspertëve të policisë u mundësua ndalimi i Paris Rizait 19 vjeç, Imerel Manes, 19 vjeç, dhe Mariglen Gashit, 20 vjeç, të tre banues në Lushnjë, si dhe i Ardit Nuhut, 18 vjeç, banues në fshatin çiflik të Rrethit të Beratit. Të katërt këta persona në bashkëpunim akuzohen se janë autorë të vjedhjes së 10 motoçikletave, të cilat janë bllokuar në cilësinë e provës materiale, dy makinave, si dhe vjedhjes së tre banesave. Vjedhjet mësohet se kanë ndodhur në muajt e fundit, ndërkohë që ky grup mësohet se e ka shtrirë veprimtarinë dhe në Tiranë dhe Lushnjë. Sipas burimeve të policisë po punohet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të kësaj çështjeje.
#