Sherr me thika, 17-vjeçari plagos bashkëmoshatarin
Adoleshentët janë rikthyer sërish me historitë e tyre të dhunshme në ambientet e shkollës. Një tjetër plagosje me thikë ka ndodhur ditën e djeshme në Tiranë, fare pak metra larg shkollës së mesme profesionale “Harry Fultz”. Dy adoleshentët, gjimnazistë të kësaj shkolle, kanë filluar konfliktin e tyre që në oborr, për ta përfunduar pak metra më tutje. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se rreth orës 12:30 janë njoftuar se një plagosje me thikë kishte ndodhur te vendi i lartpërmendur. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Komisariatit Nr. 3, që kanë identifikuar të dëmtuarin Egi Velgani, 17 vjeç. Ai kishte marrë një plagë të lehtë në trup me thikë, ndërkohë që është dërguar menjëherë për në spital. Atje ka mundur të tregojë për oficerin e policisë se autori i plagosjes ishte Myrteza Zymbyli, i moshës së tij, i cili është në klasë paralele te shkolla “Harry Fultz”. Më tej, policia ka shoqëruar edhe autorin, që pas marrjes së deklaratës është vendosur që të procedohet penalisht në gjendje të lirë për veprën penale të plagosjes së lehtë. Ky vendim është marrë për shkak të veprës penale jo shumë të rëndë dhe për moshën e vogël të autorit.
#