Përdhunohet në makinë nga tre shokët e fshatit
Një adoleshente i ka besuar më shumë se sa duhet shokut të saj të ngushtë, me të cilin mendohet se kishte edhe lidhje intime, kur ka pranuar të dalin xhiro me makinë ata të dy dhe dy djem të tjerë. Gjatë asaj xhiroje, që ka qenë e fundit me ta, ajo ka përjetuar tmerr, pasi është përdhunuar nga të tre brenda makinës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë, në Marikaj, ndërkohë që dy net më parë policia e kryeqytetit ka vënë në pranga tre agresorët e dyshuar të këtij krimi të rëndë. Sipas të dhënave, vajza 15-vjeçare nuk ka dashur të bëjë kurrë denoncimin, por prindërit e kanë bindur që të diskutojë me një psikologe dhe policinë, me qëllim që të çojë në burg personat të cilët e përdhunuan. Burimet policore të kryeqytetit nga Seksioni Kundër Krimeve Seksuale bënë të ditur se paraditen e djeshme, bashkë me të atin, në polici ishte paraqitur vajza nga Marikaj me iniciale S. K. Në praninë e një oficereje policie dhe psikologes, ajo ka rrëfyer se pesë ditë më parë kishte dalë me shokun e saj. Bashkë me ta janë bashkuar edhe dy shokë të tij, të cilët janë ulur në një lokal. Më pas, ata kanë vendosur të dalin për një xhiro me makinë. Kështu, vajza e re, bashkë me Albi Marën, 21 vjeç, Eni Subashin, 20 vjeç dhe Endri Dungën, 19 vjeç, kanë hipur në makinë dhe janë larguar nga fshati. Gjatë rrugës, sipas dëshmisë së vajzës, ata kanë nisur ta ngacmojnë dhe vajza i ka kërkuar shokut të tij ta kthejnë në banesë. Por, në një vend larg syrit të njerëzve, kanë ndaluar mjetin dhe e kanë përdhunuar. Pasi vajza e re ka mbaruar dëshminë, ka treguar dhe shenjat e dhunës, të cilat janë ekzaminuar nga Mjekësia Ligjore, ndërkohë që është vendosur arrestimi i tre djemve të rinj, që janë po nga Marikaj. Policia tregoi se ata akuzohen jo vetëm për marrëdhënie seksuale me dhunë, por edhe për marrëdhënie seksuale me të mitura, pasi vajza ishte vetëm 15 vjeçe.
#