Institucionalizimi i pakënaqësisë
Pozicioni i opozitës së sotme ka kaluar në disa faza transformimi, deri sa jemi tani në prag të zgjedhjeve të përgjithshme dhe na takon të mendohemi kë të votojmë për të na qeverisur pas gjashtë-shtatë muajsh. Faza e parë e rikonfigurimit të PS-së ishte një konfrontim formal, kaotik për të shkarkuar habinë, fajin për garën e humbur dhe mllefin për dorëzimin e pushtetit. Pastaj pati disa deklarata të forta të Kryeministrit të ri se drejtësia do t’i ndiqte deri në fund punët e dyshimta të ish-pushtetarëve të majtë; edhe nga kjo stuhi në gotën e ujit, ish-zyrtarë të lartë të PS-së dolën pa lagur e pa u shkundur. Faza më e rëndësishme brenda PS-së, për mendimin tim, ka qenë zgjedhjet e reja në parti. Çlirimi i konsiderueshëm, ndonëse jo i plotë nga autoritetet e vjetra, me të cilat lidhej historia e re e partisë që trashëgon një sasi të qëndrueshme votash nga e shkuara, përbën të vetmen dukuri pozitive brenda krahut të majtë. Madje, ndryshimi i udhëheqjes brenda PS-së, është po ashtu nga të paktat ndodhi pozitive në gjithë skenën politike shqiptare.
PS-ja vazhdimisht është treguar elastike; ka ndryshuar disa kryeministra të saj, ka bërë rotacion të pjesshëm të karrigeve e posteve të larta, si kur ka qenë në pushtet, edhe në postet partiake. Falë ndryshimeve formale të figurave, ka arritur të riciklohet në sytë e opinionit, duke krijuar përshtypjen e ndryshimit, duke ngjallur sadopak besim te të lëkundurit, e sidomos duke e lënë pa objekt konkret sulmi lumin e akuzave që ngre krahu tjetër.
Deri tani, për pika kyçe që lidhen me sistemin demokratik: Ligji për zgjedhjet, tjetërsimi thelbësor i Kushtetutës së vendit, etj…, opozita ka mbajtur krahun e pushtetit ekzekutiv, pra ka qenë ajo opozitë që i duhej shumicës dhe jo ajo opozitë që i duhej qytetarit. Gjithashtu, në disa ngjarje të rënda që do të kishin tronditur e ndryshuar radikalisht me mjete politike çdo vend demokratik në botë, opozita, duke lënë pa zë institucional indinjatën qytetare, ka goditur me pambuk fajtorët dhe përgjegjësit direkt të katastrofave, për arsye, ato të deklaruarat të paktën, aspak bindëse: Nuk bëjmë pazar me vdekjet, me tragjeditë njerëzore etj..., etj. Me ndryshimet kushtetuese opozita ka bërë një post Kryeministri të paprekshëm nga opozita brenda Kuvendit, me mandat të plotë katërvjeçar e kjo keqtingëllon si për sot, edhe për nesër kur ata kanë llogaritur se kanë radhën të marrin pushtetin.
Në përgjithësi, partitë në Shqipëri kanë qenë parti kryetarësh, pavarësisht fasadave populiste, lidhjeve me bazën, me traditat, me dëshmorët, me martirët, me pishtarët, e të tjera slogane si këto. Kështu, vëmendja duhet drejtuar nga Kryetari i tashëm i opozitës. Ai ka arritur të rinovojë një pjesë të madhe të aparatit partiak; ka arritur t’u mbijetojë me dinjitet disa sfidave që i janë bërë autoritetit të tij si drejtues numër një i partisë: rasti për hyrje në zgjedhjet lokale dhe rasti i zgjedhjes së Presidentit. Kryetari i tashëm i PS-së, ka gjithashtu një përvojë të gjatë në qeverisjen e kryeqytetit. Ka krijuar njëkohësisht një kapital të madh vetjak, i cili duhet t’i vlerësohet pa kushte nga krahu i majtë: E pasaportizoi në kryeqytet PS-në dhe të majtën në përgjithësi, duke e bërë parti kryesore. Kujtojmë se, që nga viti ‘91, PS-ja kishte humbur me vota qytetet e mëdha, ishte reduktuar në parti me bazë dërrmuese mbështetëse në fshat dhe në zonën e parë operative Vlorë-Gjirokastër. Se cila opozitë na duhet sot, është e tepërt të biem në përsëritje. Pyetje më e drejtpërdrejtë do të ishte: Cili pushtet na duhet nesër? Se cili pushtet na duhet nesër, është herët për të vendosur, por jo për t’u menduar. Përvoja ka treguar se pakënaqësia qytetare nga njëra anë, dhe ngjallja e besimit te njëra forcë politike nga ana tjetër, ka vendosur në favor të kujt do fryjnë erërat në rrugën drejt pushtetit.