Opozita në kohën e tashme
Të bërët opozitë, në Shqipëri nuk kuptohet dot jashtë veçorive të shoqërisë dhe të kulturës, por edhe të historisë politike shqiptare të shekullit XX. Kush u qaset enigmave politike të sotme me instrumente teorike të përpunuara në Perëndim, është i dënuar të mbetet në errësirë, sepse politika shqiptare vërtet ka adoptuar forma dhe institucione Perëndimore, por grupet e interesave dhe psikologjinë e konfliktit nuk i ka importuar aspak. Kështu, ndoshta vetëm në Shqipëri, sheh një të majtë të detyruar të jetë konservatore, për të ruajtur lidhjet me brezin e vjetër, produkt politik dhe social të regjimit të mëparshëm; teksa e djathta flirton me populizmin dhe gjen mbështetje në shtresat e varfra dhe më pak të shkolluara; pa folur pastaj për bazën sociale aq të nevojshme për forcat politike të majta, ose sindikatat, që praktikisht nuk i dëgjon të ekzistojnë; ose dallesat në politikën e jashtme midis dy poleve të politikës shqiptare, të cilat, gjithashtu, prej kohësh janë rrafshuar nga buldozerët e ligjërimit kombëtarist. Nëse e majta dhe e djathta në Shqipëri funksionojnë më shpesh si etiketa ose qeleshe ceremoniale, konfliktet e mirëfillta të shoqërisë shqiptare e gjejnë rrugën për të dalë në sipërfaqe e për t’u pasqyruar në politikë, aq më tepër në rrethanat kur shteti shqiptar nuk arrin dot t’i zgjidhë disa çështje elementare të vetat e t’i normalizojë disi marrëdhëniet me qytetarët. Nuk duhet harruar se institucionet republikane dhe demokratike janë shartim ende i pazënë mirë në trup të shoqërisë shqiptare, eksperiment në shkallë të gjerë, që kryhet me vullnetin e mirë të elitave dhe utopinë ose pragmatizmin e “ndërkombëtarëve”; në një kohë që të gjitha këtyre institucioneve u duhet të merren vesh njëfarësoj me institucione e ndarje të vjetra të kombit, të cilat vijojnë të fërkohen mes tyre si të ishin pllaka tektonike, gati për të shkaktuar tërmetin që askush nuk do ta dëshironte. Vitin 1997, disa e lexuan edhe si pezmatim të konfliktit Veri-Jug; në një kohë që për disa të tjerë kundërvënia midis PD-së dhe PS-së shpreh një kundërvënie më të thellë midis shqiptarëve myslimanë dhe shqiptarëve ortodoksë të Jugut; e kështu me radhë, meqë kundërtitë primordiale nuk mungojnë: Fshati dhe qyteti, kombëtaristët dhe kozmopolitanët, antikomunistët dhe komunistët, Evropa dhe SHBA-ja, Kosova dhe Shqipëria. E keqja e këtyre kundërtive ka të bëjë me atë logjikë të nënvendosur që kërkon t’i unifikojë në bazë të botëkuptimit tradicional autoritar të konfliktit, social dhe politik, i cili ende i ruan notat e forta patriarkale dhe populiste. E ndodhur përballë këtyre rreziqeve sa mitike, aq edhe reale, opozita e sotme gjithnjë tundohet nga avantazhet që mund t’i vinin po t’i shfrytëzonte qoftë edhe për qëllime taktike; por mendjet më largpamëse të së majtës shqiptare do ta kenë kuptuar tashmë se e ardhmja e Shqipërisë ose do të ndërtohet duke i kapërcyer këto dikotomi, ose nuk do të ndërtohet dot fare. Nga ana tjetër, opozita e majtë ka në dorë bashkinë e Tiranës, ose pushtetin lokal në një mega-qendër urbane që funksionon jo vetëm si qyteti më i madh shqiptar dhe kryeqyteti i vendit, por edhe si pikë referimi dhe tërheqjeje për krejt emigracionin e brendshëm, kulturën dhe shoqërinë civile. Me gjeografinë e vet antropologjike dhe kulturore, Tirana është shndërruar në një model në shkallë të zvogëluar të Shqipërisë vetë, ose në një hartë topografike të Shqipërisë së nesërme; dhe këtë opozita e ka shfrytëzuar e ndoshta edhe më mirë do ta shfrytëzojë në favorin e vet, sepse Tirana duket sot si vendi gjeometrik ku realizohet ëndrra e shqiptarit që nuk dëshiron ta lërë vendin për të emigruar jashtë, cilado qoftë ajo – pasurimi, karriera politike, studimi universitar, afirmimi si artist, kontakti me të huajt, përfshirja në jetën mondane. Paradoksalisht, vetë Tirana përmban në gji një hartë tjetër, të Evropës e ndoshta të botës mbarë, sepse funksionon si portal i komunikimit të Shqipërisë me botën dhe kontekst i të gjithë atyre grupeve të interesave, shoqatave, OJQ-ve dhe qarqeve intelektuale dhe akademike që i shërbejnë si ndërfaqe (interface) këtij komunikimi. Duke kontrolluar Tiranën dhe duke realizuar atje, qoftë edhe në shkallë të reduktuar, programet e veta sociale dhe kulturore, vizionet qytetare dhe politikat e rregullimit të hapësirave publike, opozita i ka mundësitë t’u flasë shqiptarëve jo vetëm në kohën e ardhme, siç bëjnë zakonisht opozitat, por edhe t’u tregojë frytet e filozofisë së vet të drejtimit dhe të administrimit të punëve.