E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instituti, analizë krimeve të komunizmit

 

ADI SHKEMBI

Pas miratimit të ligjit për pastërtinë e figurës, qeveria nxjerr vendimin për krijimin e Institutit të studimeve të krimeve të komunizmit. Në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar draftin e propozuar nga kryeministri Berisha dhe që i jep formë institutit i cili do të analizojë mënyrën se si u vendos regjimi komunist në Shqipëri dhe personat që e ndihmuan atë. "Instituti analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër këtij regjimi", thuhet në nenin 4 të vendimit. Bordi i Institutit do të përbëhet nga shtatë anëtarë që do të zgjidhen nga Kuvendi. Anëtarët do të propozohen 3 nga Instituti i të Përndjekurve politikë, një nga Shoqëria Civile, një nga Akademia e Shkencave dhe dy nga Konferenca e rektorëve. "Nuk mund të zgjidhen anëtarë bordi persona që kanë qenë anëtarë të Partisë së Punës së Shqipërisë apo që kanë punuar në struktura e organe, veprimtaria e të cilave ka qenë e lidhur, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, me organet represive të regjimit komunist", thuhet në vendimin e miratuar në mbledhjen e Qeverisë. Anëtarët e bordit do të zgjidhen me mandat pesë vjeçar dhe kanë të drejtë rizgjedhje vetëm një herë. Në të njëjtën kohë ata nuk mund të mbajnë funksione të larta shtetërore, politike, administrative, kushtetuese si dhe me anëtarësinë në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. "Anëtarët e bordit punojnë me kohë të pjesshme dhe përfitojnë një shpërblim mujor, masa e të cilit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet më tej në vendim. Instituti në një nga mbledhjet e tij të para zgjedh drejtorin e përgjithshëm dhe nëndrejtorin, të cilët e përfaqësojnë këtë institucion në marrëdhëniet me të tretët. Instituti do të ketë arkivin dhe nëndrejtori i tij përgjgijet drejtëpërdrejtë për arkivin. Nëndrejtori, sipas vendimit, ka të drejtë të fotokopjojë dhe të ruaj materiale që rezultojnë nga veprimtaria e zhvilluar gjatë periudhës 29 nëntor 1944- 8 dhjetor 1990. "Drejtuesi i arkivit ka të drejtë të mos lejojë akses në dokumente apo materiale arkivore, që edhe pse kanë dalë nga lista e informacionit të klasifikuar, përmbajnë informacion, i cili mbetet i rëndësishëm për mbrojtjen e sistemit kushtetues, të interesave madhore ekonomike, sigurisë dhe mbrojtjes së vendit", thuhet më tej në vendim. Sipas relacionit që mban firmën e kryeministrit "Këshilli i ministrave hartoi ligjin nisur nga detyrimi i shtetit për të siguruar akses publik maksimal për veprimtaritë sekrete të organeve të Sigurimit të Shtetit të regjimit komunist, si një shprehje e bindjes së plotë, se veprimet antiligjore të çdo regjimi totalitar ndaj qytetarëve nuk mund të mbrohen përmes fshehjes ose harresës".

detyrat e institutit

• Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist;
• Identifikon aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet, organet dhe autoritetet shtetërore dhe kushtetuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e organizimit dhe funksionimit të të gjithë aparatit represiv të sistemit komunist;
• Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit.
• Studion dhe vlerëson veprimtarinë kriminale të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe Partisë së Punës së Shqipërisë dhe të organizatave të tjera, të krijuara në mbështetje të ideologjisë së saj;
• Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër këtij regjimi;
• Grumbullon të dhëna, dokumente dhe dëshmi që i shërbejnë ndriçimit të veprimtarisë së organeve e strukturave të sigurisë së shtetit, të formave të persekutimit dhe formave të rezistencës kundër tyre, si dhe të gjitha veprimtarive që kanë çuar në dhunimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vitet e regjimit komunist;
• Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste, për aktet administrative dhe vendimet, të cilat kanë çuar direkt ose indirekt në veprime represive në jetën sociale dhe kulturore, përfshirë këtu luftën e klasave, kolektivizimin, luftën kundër fesë, izolimin nga perëndimi, pamundësinë për t'u informuar, censurën e artit, kulturës, shkencës, si dhe kufizimin e furnizimit me ushqime përmes tollonave të ushqimit;
• Vë në dijeni publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave;
• Sistemon dhe botojë kujtimet e të dënuarve politikë qoftë atyre që u burgosën edhe atyre që u persekutuan në kampet e internimit;
• Përpunon në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist;
• Publikn e përhap materiale të shkruara në letër e rrugë elektronike, si dhe organizon ekspozita, seminare, konferenca e diskutime mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e tij në Shqipëri;
• Bashkëpunon me institucionet kërkimore, kulturore, arsimore dhe institucione të tjera me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe përvojës lidhur me objektin e punës së Institutit;
• Bashkëpunon me institucionet përgjegjëse të arsimit për përfshirjen në planet dhe programet mësimore të shkollave të të gjitha niveleve informacion të mjaftueshëm mbi krimet e komunizmit dhe pasojat e këtij sistemi në Shqipëri.
• Bashkëpunon me institucionet homologe dhe të huaja

“Qëllimi i ligjit është mbulimi i korrupsionit”

Partia Socialdemokrate përshëndet qëndirmin e KE-së për ligjin e dosjeve, duke theksuar se këto vërejtje i kish bërë edhe ajo më parë gjatë diskutimit parlamentar. Në një konferencë për shtyp nënkryetari i kësaj partie, Ëngjëll Bejtja tha se "vlerësojmë se: qëllimi i vërtetë i këtij ligji nuk është dënimi i krimeve të komunizmit, por është mbulimi i krimeve të bëra në këto vite të qeverisjes së Sali Berishës dhe shpurës së tij; siç është krimi monstruoz i Gërdecit, si dhe korrupsioni gjithnjë e më shumë në rritje i kësaj maxhorance". Ai tha se ligji i dosjeve që me hyrjen e tij në fuqi ka cënuar rëndë standardin e zgjedhjeve të ardhshme, ende pa u zhvilluar ato.

Dosjet, LSI: Ligji do përdoret nga shumica

Lëvizja Socialiste për Integrim reagon pas kritikave të Këshillit të Evropës lidhur me ligjin për hapjen e dosjeve. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto tha dje në një konferencë për shtyp se ligji, i cili pritet të marrë fuqi pas botimit në Fletoren zyrtare, do të përdoret nga maxhoranca në mënyrë selektive për ti bërë presion gjykatësve dhe prokurorvë që po hetojnë aferat e qeverisë. Sipas tij "nuk ka asnjë dyshim se ligji për dosjet nuk është bërë për t'u zbatuar. Jo me kot Bashkimi Evropian, ndër kritikat më serioze për Shqipërinë, ka cilësinë e dobët të ligjeve dhe mos-zbatueshmërinë e tij. Ky ligj është bërë vetëm për t'u përdorur në mënyrë selektive nga maxhoranca e sotme si një mjet presioni për të frikësuar e intimiduar prokurorë e gjykatës të cilët po hetojnë aferat korruptive të kësaj qeverie". Haxhinasto theksoi se "Ligji ka kompromentuar qëllimin e tij kryesor, qëllim që LSI e ka mbështetur, që konsiston në masat për të ç'instaluar trashëgiminë e sistemit të mëparshëm totalitar. Ky objektiv nuk arrihet duke vepruar me mentalitetin totalitarist: se ligjin e zbaton ai që është në pushtet kundër atyre që nuk janë në pushtet; se kushtetueshmëria vendoset me shkelje të kushtetutës; se ilegjitimiteti mund të pastrohet me një iligjitimitet të ri; se padrejtësia e vjetër zgjidhet me një padrejtësi të re".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›