PS, Beqja: "Berisha" abuzime me faturat e energjisë
Partia Socialiste akuzoi qeverinë se po realizon vjedhjen masive ndaj qytetarëve nëpërmjet faturave të KESH-it. Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja deklaroi se, "qeveria e Sali Berishës nëpërmjet mashës OSSH grabit sistematikisht buxhetet familjare shqiptare me faturat e energjisë elektrike. Në 10 muajt e fundit është hera e tretë që denoncojmë grabitjen me faturën e energjisë elektrike". Sipas tij, qeveria e Sali Berishës vonoi për dy vjet ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Qeveria e Sali Berishës nuk ishte e aftë të përfundonte linjën e interkonjeksionit me Malin e Zi. "Në mars 2008 periudha e faturimit ka qenë 36 ditë. Në tetor 2008 periudha e faturimit ishte 36 ditë. Por në muajin dhjetor OSSH-ja e thelloi grabitjen. Sipas faturave të muajit dhjetor, periudha e faturimit nuk është 31 ditë, por 43 ditë, duke rritur në mënyrë abuzive pjesën e konsumit mujor mbi 300 kilovat. Pra, për çdo kilovat të konsumuar në 13 ditët e fundit të periudhës së faturimit, OSSH ka grabitur familjet shqiptare me 5 lekë, ndërsa administrata tatimore ka grabitur familjet shqiptare me 1 lek tatim mbi vlerën e shtuar", deklaroi Beqja. Për PS-në, kjo grabitje sistematike është shprehje e qartë e sjelljes korruptive dhe abuzive, që qeveria e Kryeministrit Berisha ka instaluar këta 42 muaj. "Në emër të Partisë Socialiste: I kërkojmë sot Sali Berishës të mos zhytet më thellë në grabitje në këta më pak se 6 muaj që i kanë mbetur në detyrë. Përsërisim kërkesën ndaj Entit Rregullator të Energjisë të garantojë zbatimin e përpiktë të vendimeve të tij", theksoi Beqja.