E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Mendjet e robëruara tjetërsojnë rolin e Skëndebeut

 

ADI SHKEMBI

Mendjet e robëruara përpiqen të tjetërsojnë rolin e Skënderbeut në historinë e Shqipërisë. Presidenti Bamir Topi bëhet pjesë e debatit disa mujor mbi figurën e heroit tonë kombëtar, duke e cilësuar atë si personazhin më të gjallë të të gjithë historisë së vendit. Dje, 541 vjet pas ndarjes nga jeta të Gjergj Kastriotit, gjatë Konferencës Kombëtare "Familjet e Mëdha Fisnike Shqiptare", kreu i shtetit u shpreh se "ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit Europian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione: ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moralitet të lartë dhe profesionalizëm". Në fjalën e tij presidenti Topi e cilësoi figurën e Skëndebeut si modelin dhe simbolin e një kauze të shenjtë, që ai e quajti liria kundër robërisë. Në vlerësimin e kreut të shtetit "ai ishte Prijësi i një lufte të drejtë, heroike e mbrojtëse si dhe burri i shtetformimit. Efektet e këtij kontributi nuk u zbehën asnjëherë. Ato ishin brumi i Rilindjes kombëtare deri në nëntorin e vitit 1912, në përpjekjen sublime për Pavarësi dhe shtet shqiptar, thelbi i identitetit kombëtar dhe i vetëdijes bashkëkohore". Por me afrimin në kohë, sipas presidneitt familjet e mëdha u goditën nga regjimi komunist dhe u zhgënjyen nga ai i pas viteve 90. "Goditja e elitave tradicionale, politike, intelektuale, ekonomike synonte të prishte komunikimin e popullit shqiptar me pikat e referimit. Komunistëve u duhej që të shpikej "Armiku i klasës apo i popullit" dhe për këtë stigmatizuan dyert e mëdha shqiptare. Si pasojë ata provuan asgjësimin fizik, burgun, internimin, konfiskimin e pronës, humbjen e të gjitha të drejtave, veprime këto me pasoja afatgjata të mirëmenduara", theksoi Topi. Në këtë takim kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerësoi se simbolet shqiptare janë të paprekshme dhe të përbashkëta për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. "Ky është fillimshekulli i shqiptarëve, dhe mbi shpatulla marrim përgjegjësi për punë të mëdha, me përgjegjësi të ecim përpara, mes shqiptareve të mos ketë kufij", tha Ali Ahmeti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›