Jozefina Topalli, mamie për një ditë në maternitetin e Fierit
Momente shumë të veçanta dhe emocione të forta, përcolli te Kryetarja e Kuvendit pritja në jetë e një foshnje, mashkull, në maternitetin e Fierit. "Për mua ishte një emocion shumë i veçantë i pritjes në jetë, të këtij fëmije. Nuk ka gjë më të bukur në jetën e një nëne, momenti kur lind fëmija. E kam provuar dy herë dhe janë ndër momentet më të bukura të jetës sime. Falënderoj mjekët për të gjithë punën që bëjnë dhe për çdo sakrificë", tha Topalli. Kryeparlamentarja u shpreh se, "gratë fierake janë një model për ndërgjegjësimin e të gjitha grave të tjera të Shqipërisë për kontrollin shëndetësor. Unë ju inkurajoj që ju të mbështesni shoqet, koleget dhe vajzat tuaja që të jeni të kujdesshme për shëndetin, pasi nëna është misionarja e trashëgimisë së jetës". Me këtë mesazh iu drejtua Kryetarja e Kuvendit, pacienteve dhe stafit mjekësor të spitalit obstetrikë-gjinekologjik të qytetit të Fierit. Vizita bëhet në kuadrin e turit kombëtar që Kryetarja e Kuvendit ka ndërmarrë për ndërgjegjësimin e kujdesit shëndetësor të grave si dhe për të lëshuar një apel në prag të javës "Kundër kancerit të qafës së mitrës". Drejtoresha e spitalit të Fierit, Najada Jahiqi, duke shpjeguar proceset dhe problemet e punës së përditshme, u shpreh ndër të tjera: "Turi juaj, zonja Kryetare e Kuvendit, për të ndërgjegjësuar gratë për t'iu nënshtruar analizave të tumorit të qafës së mitrës dhe mamografisë, është një shërbesë e madhe që i bëhet punës së mjekëve". Brenda një periudhe të shkurtër 1100 gra fierake i janë nënshtruar depistimit për kancerin e qafës së mitrës, në një repart të posaçëm, ngritur në këtë maternitet. Një nga gjinekologët e njohur të qytetit të Fierit, Besnik Brahimaj, vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme fushatën ndërgjegjësuese që Kryetarja e Kuvendit po bën me gratë e çdo qyteti dhe komune, për rrezikun e tumoreve te gratë, në gji dhe qafën e mitrës. "Ju jeni një grua jo vetëm e fortë e drejtimit të Parlamentit, por edhe me një shpirt të gjerë humanitar", u shpreh doktor Brahimaj.