E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja "Hyka", për menaxherin Haxhija nuk ka asnjë parregullsi

 

Menaxheri i përfshirë në tratativat për transferimin e Jahmir Hykës te klubi gjerman i Maincit, Sokol Haxhia ka mohuar që të ketë parregullsi në këtë çështje. I kontaktuar nga "Panorama Sport", Haxhija deklaroi se ai nuk kishte asnjë informacion për lajmin e botuar dje nga gazeta. Klubi i Olimpikut e ka çuar çështjen në organet juridike të FSHF-së, pasi nuk i ka marrë paratë për shitjen e kartonit të Hykës te Mainci. "Unë jam menaxher i FIFA-s dhe si i tillë duhet të njoftohem nga organizmi ndërkombëtar i futbollit nëse ka pasur ankesa nga klubi i mëparshëm i shqiptarit, - tha Haxhiaj. - Mund të them se kontrata është bërë konform të gjithë rregullave dhe nuk ka pasur asnjë parregullsi. Nuk mund të prononcohem zyrtarisht për këtë çështje nëse nuk informohem nga FIFA se për çfarë bëhet fjalë", - vijoi Haxhiaj, i cili mohoi çdo koment tjetër, edhe pasi u njoh nga gazeta me lajmin e botuar një ditë më parë. Klubi i Olimpikut e ka nisur çështjen në FIFA, pasi kërkon të marrë paratë që i takojnë për shitjen e Hykës, ndërkohë që klubi i Maincit, nëpërmjet drejtorit sportiv Kristian Heidel, bëri të ditur se i ka shlyer të gjitha detyrimet për futbollistin 20-vjeçar shqiptar. Në këto kushte, përgjegjësitë bien mbi menaxherin, por ky i fundit nuk ka pranuar të ketë pasur parregullsi dhe është shprehur optimist se gjërat do të marrin një zgjidhje. "Nëse vërtet ka një problem, të jeni të sigurt se do të ketë zgjidhje të shpejtë. Mund të ndodhë edhe që klubet të vonojnë pagesat e blerjeve të lojtarëve, por në rastin konkret unë nuk di të them, pasi s'kam informacion. Nëse do të njoftohem, atëherë unë do të bëj publik pozicionin tim", - përfundoi menaxheri shqiptar Haxhiaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›