E Shtunë, 31 Tetor 2026

Instituti i Kulturës Shqiptare në Itali, në shtëpinë e Skënderbeut

15/04/2010 Ministri Xhaferaj pritet në Itali nga homologu i tij Bondi. Diskutime për Nënë Terezën dhe bashkëpunimet kulturore e arkeologjike

I ftuar nga ministri i Pasurisë Kulturore në Itali, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, zhvilloi të martën një takim me homologun e tij. Ai ishte i shoqëruar nga një delegacion në përbërje të të cilit ishin përfaqësues të artit dhe trashëgimisë.

Gjatë takimit të dy homologët vlerësuan bashkëpunimin që të dy qeveritë kanë me njëra-tjetrën, gjë që e tregoi dhe vizita e ministrit të Jashtëm, Fratini në Shqipëri. Të dy homologët ndanë të njëjtin mendim për bashkëpunimin që Shqipëria ka pasur me Italinë në fushën e arteve dhe kulturës, i cili ka qenë dhe është i një rëndësie të veçantë. Kjo, cilësoi Ministri Xhaferaj, jo vetëm për faktin e fqinjësisë sonë fizike dhe shpirtërore, por edhe sepse Italia ofron vlera bashkëpunuese për vendin e çmuar që zë në të shkuarën dhe të tashmen e artit dhe kulturës botërore.

Ministri Xhaferaj theksoi se për t’u veçuar në këtë bashkëpunim është stina e eventeve “Italia – Shqipëria – dy popuj, një det, një miqësi” dhe veprimtaritë e organizuara.

Po ashtu ai vuri në dukje bashkëpunimin me ambasadën italiane, Bashkinë e Bolonjës dhe të Mantovës për hapjen e ekspozitës në Galerinë e Arteve me pikturat e shek XX ku përfshihen emrat më të famshëm të artit botëror, si: Picasso, Shagal etj.

Gjatë bisedës së dy ministrave, Xhaferaj prezantoi nderimin që Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i bën figurës së Nënë Terezës duke propozuar shpalljen e vitit 2010 “Viti Nënë Tereza”. Bondi mori shkas duke çuar më tej idenë për vendosjen e bustit të Nënë Terezës në sheshin “Albania” pranë figurës së Skënderbeut duke i dhënë kështu identitetin e plotë këtyre dy figurave. Gjatë takimit Xhaferaj përcolli propozimin e bërë nga Kryeministri për ngritjen e Institutit të Kulturës Shqiptare në Romë ku i kërkoi homologut të tij të mundësohej ngritja e këtij Instituti në ambientet e Shtëpisë së Skënderbeut, gjë për të cilën Bondi u shpreh i gatshëm. Më pas homologët ndanë të njëjtin mendim lidhur me propozimin për një bashkëpunim konkret dhe asistencë teknike lidhur me fushën e arkeologjisë nënujore, trajnimin dhe krijimin e rrjeteve muzeale në Shqipëri sidomos përmes krijimit të networkëve si dhe vijimi i bashkëpunimit për mirëfunksionimin e Qendrës së Restaurimit në Tiranë dhe mundësitë për shndërrimin e kësaj Qendre në një Qendër rajonale të Restaurimit të kategorisë së dytë UNESCO, ku të shkëmbehen eksperiencat më të mira të restaurimit të të gjithë rajonit. Shtimi i destinacioneve të kroçierave italiane në portet shqiptare ishte një tjetër propozim, i mbështetur nga Bondi. Në diskutimet që vazhduan edhe gjatë drekës së punës që ministri Boni shtroi për nder të ministrit Xhaferaj u propozua pjesëmarrja e artistëve shqiptarë për t’u ingranuar në operat apo koncertet italiane. Duke vlerësuar faktin që z. Bondi është një poet, Xhaferaj e ftoi të jetë i pranishëm në aktivitetin ndërkombëtar të Poetekës në qytetin e Durrësit. Në këtë vizitë ministri Xhaferaj me iniciativën e tij kërkoi organizimin e një takimi në mjediset e ambasadës në prani dhe të ambasadorit tonë në Itali dhe z. Visar Zhiti (poet), me artistë shqiptarë arbëreshë, si dhe shoqata të ndryshme artistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›