Integrimi, Clinton: Mbështetje Kosovës e Serbisë
Sekretarja e shtetit, Hillary Clinton ka përshëndetur vendimin e BE që të fillojë Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën, duke theksuar se kjo është e rëndësishme për orientimet evropiane të Kosovës dhe shenjë se BE i është përkushtuar Kosovës.
“Integrimet evropiane janë të mirëseardhura për Serbinë, Kosovën dhe gjithë rajonin. Përgëzoj liderët e Kosovës dhe të Serbisë për kurajën dhe përkushtimin për të marrë vendime të vështira të domosdoshme për arritjen e qëllimeve të parashtruara, thuhet në deklaraten nënshkruar nga sekretarja Clinton.
Ajo thekson se SHBA kanë miqësi të fuqishme dhe të gjatë me Kosovën e Serbinë dhe ato do të vazhdojnë të bashkëpunojnë nga afër me to në realizimin të ardhmes paqedashëse e prosperuese evropiane.
Deklarata është publikuar nga mediat e Kosovës dhe ato serbe, pasi Clinton njëkohësisht ka përgëzuar udhëheqjen dhe qytetarët e Serbisë për marrjen e statusit të kandidatit për në BE.